Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre, Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se vetëm në dy ditët e fundit janë zbuluar dy raste kur persona të ndryshëm janë kapur me armë ilegale.
Një 41-vjeçar në rrugën “Mbreti Bardhyl” në Pejë, u ndal për kontroll nga Policia, ku gjatë kontrollimit trupor në xhepin e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë pa leje bashkë me karikator dhe fishekë. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Mbajtje ne pronësi, kontroll, posedim te pa autorizuar te armës”.
Ndërsa në shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Zajm të Klinës, Policia ka kryer bastisje ku kanë gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie pa leje. I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Mbajtje ne pronësi, kontroll, posedim te pa autorizuar te armës”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“