image Kosovarët meraklinj të armëve, brenda një dite zbulohen disa raste dhe arrestohen disa persona

Siguri

Kosovarët meraklinj të armëve, brenda një dite zbulohen disa raste dhe arrestohen disa persona

news image

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, Sinjali mëson se vetëm gjatë ditës së djeshme janë zbuluar tri raste të armëmbajtjeve pa leje dhe janë shoqëruar në Polici disa persona.

Një 20-vjeçar në Fushë Kosovë është ndalur për kontroll nga Policia, pasi i njëjti ishte i dyshimtë për posedim të gjësendeve të kundërligjshme. Gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë i kanë gjetur atij një mjet të mprehtë, thikë, e cila është konfiskuar. I riu është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.

Po ashtu edhe në fshatin Debëllde të Vitisë, një i ri është kapur në flagrancë me armë zjarri. Sinjali mëson se 21-vjeçari u kap teksa po mbante në duart e tij një pushkë, ndërkohë që me të ishte edhe një person tjetër i paarmatosur. Policia ka kontrolluar të dyshuarin, ku në çantën e tij është gjetur edhe një revole me karikator dhe fishekë, të cilat janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Ndërsa në fshatin Tepezë të Malishevës, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e një personi, i cili dyshohej për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit të shtëpisë së 47-vjeçarit i cili jeton jashtë Kosovës, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë, një pistolete, disa fishekë dhe rreth 200 gëzhoja.

Ndaj të gjithë të dyshuarve të mësipërm, Prokuroria ka nisur hetimet për secilin veç e veç nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

/GazetaSinjali/