Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar e ndaluar 36 persona, të cilët janë hasur duke shëtitur me veturë dhe në këmbë, duke u takuar, duke pirë, shoqëruar e duke luajtur.
Në Gjakovë, policët arrestuan 11 persona që dolën për qejf. Në Prishtinë, Podujevë e Drenas janë arrestuar e ndaluar nga 4 persona, në Rahovec e Fushë Kosovë nga dy, ndërsa në Gjilan e Vushtrri nga 1, shkruan Gazeta Sinjali.
Fillimisht, Policia ua prishi një ndejë 10 gjakovarëve që ishin takuar në një lokal për të ngrënë e për të pirë alkool.
“Gjakovë 29.03.2020-00:05. Janë arrestuar dhjetë të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit janë takuar në një lokal duke konsumuar ushqime dhe pije alkoolike. Rastit i janë përgjigjur edhe inspektorët komunal. Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari –pronar i lokalit është ndaluar në dhomat e mbajtjes, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”.
Në Vushtrri, njërit i kushtoi me arrestim ‘bujaria’ për t’i mbledhur në shptëpinë e tij 12 persona.
“Vushtrri 29.03.2020-22:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë një ahengu familjarë në shtëpinë e tij janë takuar 12 persona, nuk e ka respektuar vendimin lëshuar aga Qeveria e R. Kosovës. Me vendim të prokurort i njëjti pas intervistimit është liruar në procedurë të rregulltë”.
Në një rast në Prishtinë, Policia njofton se njëri prej të ndaluarve është arrestuar dhe ëdhtë dërguar në mbajtje pasi kishte penguar policët.
“Rr. Ilir Konushevci 29.03.2020-20:15. Është raportuar se dy të dyshuar meshkuj kosovar janë shoqëruar në polici pasi që të njëjtit janë takuar duke u qarkulluar me automjetin e tyre pa ndonjë arsye duke mos respektuar vendimin lëshuar nga Qeveria e R. Kosovës. Njëri prej tyre është arrestuar pasi që i ka penguar zyrtarët policor në kryerje të detyrës zyrtare dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkohë në Podujevë, njërit prej të ndaluarve i është hasur një thikë, ndonëse ai dhe shoku i tij u liruan pas ndalimit.
“Podujevë 29.03.2020-21:10. Është raportuar se dy të dyshuar meshkuj kosovar janë takuar duke shëtitur këmbë të cilët nuk e kanë respektuar urdhrin lëshuar nga Qeveria e R. Kosovës. Gjatë kontrollit te njëri prej tyre është gjetur një thikë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregulltë”, njofton Policia.
Në Rahovec, disa persona kishin qenë duke luajtur në oborrin e shkollës, derisa Policia njofton se e arrestoi vetëm njërin, pasi tjerët kishin arritur të iknin. E për të luajtur u takuan edhe 4 persona në Obiliq, që gjithashtu u ndaluan.
Nga sot, është paralajmëruar se do të shqiptohen gjoba për ata që nuk respektojnë masat e qeverisë për të mos qarkulluar pa arsye si dhe për ata që nuk e respektojnë orarin e ndalimit të lëvizjes nga 17:00 – 06:00. /Gazeta Sinjali/