Në fund të muajit nëntor në Kosovë do të fillojë një fushatë ndërkombëtare për vetëdijësim për cilësinë e ajrit, e cila ka për qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për ta mbrojtur veten, njofton Gazeta Sinjali.
Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përmes një postimi në Facebook.
“U mbajt konferenca e parë me vendimmarrësit për cilësinë e ajrit, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK). Mbledhja e të gjithë akterëve kryesorë u bë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Me këtë rast, u prezantuan elementet e fushatës përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi që rregullisht të kontrollojnë cilësinë e ajrit, si dhe të jenë në gjendje të marrin vendime në bazë të këtyre informatave të cilat do të jenë aktuale dhe të sakta, të siguruara nga 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën”, thuhet në njoftim. /Gazeta Sinjali/