Pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë në fund të muajit nëntor rekomandoi që remdesiviri të mos përdoret te pacientët me koronavirus, në Kosovë s’po respektohet ky rekomandim.
Profesionistët shëndetësorë po vazhdojnë t’ua përshkruajnë këtë ilaç pacientëve.
Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se nuk e kanë ndaluar përdorimin e remdesivirit për trajtimin e pacientëve me COVID-19, pasi këtë e kanë lënë në dorë të klinicistëve.
“Ministria e Shëndetësisë ka krijuar një grup pune i cili në vijim të pandemisë ka miratuar udhërrëfyesin për menaxhimin klinik të rasteve COVID-19, natyrisht në kuadër të këtij protokolli është edhe remdesiviri, por ne po themi prapë që fjalën përfundimtare apo verdiktin final nëse një medikament i caktuar përdoret ose jo kundër sëmundjes, siç është COVID, e thonë punëtorët shëndetësorë. Janë klinicistët ata që merren drejtpërdrejt me trajtimin e COVID-it dhe që sugjerojnë nëse një ilaç duhet të përdoret ose jo”, ka thënë Hoti për KP.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj Berisha ka deklaruar se në këtë klinikë po vazhdon ende të përshkruhet ky bari antiviral dhe se mjekët janë ata që vendosin se në cilat raste mund të përdoret apo jo.
Ajo ka shtuar se janë në konsultim edhe me shtetet e tjera të cilat po e përdorin këtë ilaç për trajtimin e pacientëve me koronavirus.
“Remdisiviri e dimë që është një bar antiviral dhe po ashtu me një kosto të lartë. Rekomandimet janë, mirëpo ne ende në Klinikë kemi vazhduar me dhënien e remdesivirit. Dhe meqenëse kemi të bëjmë me një sëmundje që nuk ka shumë njohuri dhe hulumtime të kësaj sëmundje, jemi konsultuar me shumë shtete të ndryshme, me protokolle të atyre shteteve dhe në disa shtete ende aplikohet. Kështu që klinicistët janë ata të cilët vendosin se në cilat raste dhe në cilat indikacione klinike do të jepet”, ka thënë ajo.
E nga Shoqatat e Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra ka kërkuar që të respektohet rekomandimi i OBSH për mos përdorim të barit antiviral remdisivir për koronavirus.
Ai tha se rekomandimet e OBSH-së klinicistët e Kosovës nuk duhet t’i vënë në pikëpyetje.
“Çdo rekomandim që vjen prej organizatës Botërore të Shëndetësisë duhet ta respektojmë. Ne nuk jemi në pozicion që t’i vëmë në pikëpyetje. Klinicistët janë ata që e vlerësojnë reagimin e një bari, mirëpo meqenëse kemi një organizatë kompetente e cila ka thënë që nuk duhet të përdoret edhe klinicistët tanë nuk janë aq me kompetencë sa OBSH-ja, prandaj po them ajo që ka thënë OBSH nuk duhet t’i vihet pikëpyetje”, deklaroi Kodra.
Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fitim Uka ka kërkuar që ky medikament mjekësor të largohet nga përdorimi për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
“Përderisa është promovuar dhe është përdorur në vendet e ndryshme të botës për një kohë nuk mund ta gjykoj askënd që e ka rekomanduar prej profesionistëve shëndetësorë edhe në mesin e pacientëve në Kosovë sepse ka qenë praktikë ndërkombëtare, ka qenë pjesë e protokolleve në pjesë të ndryshme dhe nuk shoh diçka të keqe në këtë mes. Por, në momentin kur OBSH-ja rekomandon që diçka të mos përdoret jam i prirë që t’i besoj rekomandimit dhe mendoj që edhe ne ta largojmë nga përdorimi”, ka vlerësuar ai.
Ilaçi antiviral remdesivir ka qenë në protokollin e barnave për trajtimin e pacientëve me koronavirus, e po këtë medikament qytetarët e Kosovës duhet ta sigurojnë vetë pasi ka pasur mungesë të tij në institucionet publike shëndetësore. Kostoja për blerjen e remdesivirit është mjaftë e lartë.
Deri më tani, numri total i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 48 mijë e 682. Janë 11 mijë e 208 raste aktive./Gazeta Sinjali/