image Kosova në Pragë me fusnotë, Presidenca: Organizatorët na kanë konfirmuar se do të na trajtojnë barabartë

Politikë

Kosova në Pragë me fusnotë, Presidenca: Organizatorët na kanë konfirmuar se do të na trajtojnë barabartë

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë më 6 tetor në Komunitetin Politik Evropian i cili mbahet në Pragë të Çekisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.

“Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Pragë do ta  përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC)”, ka thënë Kupina.

Në agjendën e publikuar në web-faqen zyrtare, ky Komunitet i është referuar Kosovës me fusnotë.

E për këtë çështje, Kupina tha se organizatorët i kanë garantuar Kosovës që do të përfaqësohet në mënyrë të barabartë.

“Ne e kemi konfirmimin me shkrim nga organizatorët se të gjitha shtetet në samit, do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me emrat e liderëve, sipas formulës së përdorur edhe në takimet e tjera, në samitet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, përfundon Kupina.

Theksojmë se tryeza do t’i nis punimet më 6 tetor në ora 13:00 dhe mbyllet me konferencën për mediat pas orës 19:30.

Pjesëmarrëse do të jenë vendet e Bashkimit Europian, vendet aspirante për në BE, Ballkani Perëndimor dhe aleatë të BE-së.

Paqja dhe Siguria, Energjia, klima dhe situata ekonomike do të jenë temë e takimit të nesërm të Komunitetit Politik Evropian në Pragë të Çekisë.

Gjatë këtij takimi do të ketë takime bilaterale mes krerëve të vendeve të caktuara, sipas vullnetit të palëve.

Komuniteti Politik Europian është një nismë e propozuar fillimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Pjesëmarrësit e ftuar në këtë takim të parë të Komunitetit Politik Evropian janë: Kosova, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.

Të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Komisionit Evropian dhe ai i Këshillit Evropian.

/GazetaSinjali/