COVID-19

Të infektuar

10419

Të shëruar

6058

Të vdekur

341

Kredia/ Kosova me rrymë nga era, BERZH-i e financon projektin me 58 milionë euro

news image

Kosova e cila kryesisht prodhon energjinë elektrike nga linjiti, së shpejti do të fillojë prodhimin e saj nga era. Kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 58 milionë euro do të ndihmojë ndërtimin e projektit për prodhimin e energjisë nga era. Kjo kredi është gjysma e totalit të kërkuar për financim.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka informuar se ka lëshuar një kredi prej 58 milionë eurosh për ndërtimin parkut të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë, njërin ndër parqet më të mëdha të prodhimit të energjisë nga era në Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Sinjali.

Kredia i është dhënë kompanisë kosovare SOWI që ka bërë zhvillimin e projekteve të prodhimit të rrymës nga era, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh.

Ky është projekti më i madh i sektorit privat që BERZH-i ka nënshkruar në Kosovë deri më tani. Në tërësi, BERZH ka investuar 413 milionë euro në Kosovë.

Ky projekt parasheh vendosjen e gjithsej 27 turbinave nga “General Electric” në rajonin e Selacit në Bajgorë, dhe ndërtimi pritet të përfundojë në vitin 2021, kur edhe do të fillojë prodhimi i energjisë elektrike dhe shpërndarja në rrjetin elektrik të Kosovës, njofton BERZH.

“Projekti do të ndihmojë diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike në Kosovë dhe arritjen e caqeve të përcaktuara për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtrishme, sipas praktikave dhe obligimeve ndërkombëtare mjedisore”, thekson Ilir Grapci, njëri nga pronarët në kompaninë SOWI Kosovo, që zhvillon projektet në rajonin e Bajgorës.

Përveç financimit nga BERZH, projekti financohet edhe nga Erste Bank dhe NLB Group derisa 30% e pjesës së mbetur financohet nga pronarët e projektit.

Projekti pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Përveç prodhimit të energjisë mëse të nevojshme elektrike, të gjelbër dhe pa ndikim në mjedis, projekti do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të komunitetit dhe rajonit të Bajgorës në përgjithësi. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin