Numër i vogël i personave i janë nënshtruar dje testit për koronavirus në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se dje asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19, nga 138 raste mostra sa u tha se janë testuar.
Në anën tjetër, kryetarët e disa komunave të Kosovës kanë deklaruar se dje janë marrë pak mostra për testim nga Instituti.
Nga Komuna e Prizrenit, ku para tri ditësh u konfirmuan 19 raste të reja me koronavirus, dje nuk është marrë asnjë mostër.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Visar Shehu ka thënë për Gazetën Sinjali se Instituti nuk ka marrë asnjë mostër nga Prizreni, ndërsa një ditë më parë ishin testuar 133 persona.
“Dje nuk janë marrë mostra në Komunën e Prizrenit, meqenëse pardje janë testuar 133 persona ku kanë rezultuar pozitiv vetëm 3 prej tyre. Ndërkohë, sot janë marrë 71 mostra për testim dhe jemi në pritje të rezultateve”, ka thënë Shehu.
Ndërsa, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj nuk ka informacion nëse dje është testuar ndonjë rast në këtë komunë.
Në një bisedë me Gazetën Sinjalin, Muharremaj tha se janë edhe 3 policë që po presin të testohen, që janë raste kontakti të dy policëve të infektuar në Suharekë.
“Ne njëherë e kemi mbyllur për fazën e parë, pasi nuk kemi pasur më asnjë rast pozitiv, por pas 20 ditësh na dolën 2 raste kontakti nga Policia në Prizren. Kemi testuar 3 raste kontakti pardje, të trija rastet kanë rezultuar negative. Sot nuk kemi informata që janë marrë mostra. I kemi edhe 3 policë që duhet të testohen, mirëpo kur testohen varet nga Instituti, jo nga ne”, ka deklaruar Muharremaj.
As nga Komuna e Mitrovicës nuk janë në dijeni sa testime janë kryer dje brenda komunës.
“Për dje nuk kemi informata sa testime janë bërë, ndërsa pardje janë testuar 55 raste dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, ka thënë nënkryetari Faruk Mujka për Gazetën Sinjali.
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se dje dy mostra kanë rezultuar negative në komunën që ai udhëheqë duke shtuar se edhe 12 raste kontakti po presin të testohen.
“I kemi 12 raste që presin për testim, që janë raste kontakti, dje janë marrë disa mostra por vetëm për 2 kemi marrë rezultatet se me gjasë nuk ka pasur teste më shumë. Këto dy raste kanë rezultuar negative”, ka deklaruar Tahiri për Gazetën Sinjali.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka marrë dje 12 mostra nga Ferizaj dhe 4 të tjera në Pejë dhe që të gjitha rezultuan negative.
“Dje në Komunën e Ferizajt janë testuar 12 raste. Të gjitha kanë rezultuar negative”, konfirmoi për Gazetën Sinjali kryetari i komunës, Agim Aliu.
“Dje janë marrë 4 mostra për testim në Komunën e Pejës, të gjitha rastet kanë rezultuar negative. Dje nuk ka pasur shumë testime, ndërsa në ditët e kaluara ka pasur numër shumë më të madh të testimeve dhe ritestimeve. Gjatë javës së fundit të gjitha testimet që janë bërë në Pejë kanë rezultuar negative”, tha Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me kryetarin e Prishtinës, për të kuptuar sa teste janë bërë në kryeqytet, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj Berisha deklaroi për Gazetën Sinjali se edhe nga aty janë marrë mostra.
“Kemi mostra që janë marrë nga Klinika Infektive, edhe për testim edhe për ritestim. Kemi pacientë të spitalizuar kemi ambulantorë”, ka thënë shkurt Ajazaj duke mos dhënë numrin e saktë të mostrave që janë testuar dje nga kjo klinikë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar mbrëmë se janë marrë 138 mostra në vend dhe prej tyre asnjë nuk ka rezultuar pozitive. Sipas IKSHPK-së dje janë shëruar 4 persona.
Numri total i rasteve me koronavirus në Kosovë aktualisht është 1 mijë e 32, me 789 të shëruar dhe 30 të vdekur./Gazeta Sinjali/