Në Kuvendin e Kosovës sot, përveç tjerash, pritet të votohet edhe për Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Këtë ligj kishte propozuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa mori mbështetjen edhe të Qeverisë.
Por kundër këtij ligji tash e disa ditë ka dalë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Më 29 qershor në profilin e tij zyrtar Kosnett kishte thënë se Ligji për Vlerat e Luftës së UÇK-së është një mënyrë e gabuar për të treguar respekt për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Diplomati amerikan kishte pontecuar se një ligj i tillë e kriminalizon lirinë e shprehjes dhe frikëson qytetarët.
“Ligji i propozuar për vlerat e UÇK-së është formë e gabuar për të treguar respekt për UÇK-në. Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, i frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19?”, kishte shkruar Kosnett.
Për një Ligj të tillë, Konsett ka reaguar edhe sot përmes një shkrimi autorial të publikuar në Koha Ditore.
“Në përpjekje për të nderuar UÇK-në, mos e minoni trashëgiminë e saj të lirisë”, është titulli i shkrimit të Kosnett në të cilin ambasadori amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë kundër UÇK-së, por se një Ligj i tillë i propozuar minon lirinë e shprehjes dhe përpjekjet për drejtësi.
“SHBA nuk është “kundër UÇK-së”. Por Ligji i propozuar për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës minon lirinë e shprehjes dhe gjithashtu do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi. Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i shtrirë liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato”, ka shkruar Kosnett. /Gazeta Sinjali