Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikë, Philip Kosnett, ka falenderuar të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e George Floyd-it.
Vdekje kjo e cila ka shkaktuar trazira nëpër rrugët e Amerikës, e gjithashtu edhe reagime të ndryshme anë e mbanë botës, duke thënë se kjo ishte e padrejtë për njerëzit me ngjyrë, transmeton Gazeta Sinjali.
“Dëshiroj t’i falënderoj ata qytetarë të Kosovës që kanë shprehur ngushëllimet dhe brengën e tyre për vdekjen e Xhorxh Flojdit (George Floyd). Qeveria federale, si dhe autoritetet e shtetit federal dhe ato lokale – dhe populli amerikan – janë thellësisht të përkushtuara për drejtësi për z. Floyd dhe familjen e tij”, ka thënë Kosnett.
Nga kjo vdekje kanë reaguar edhe liderë të ndryshëm, njëri prej tyre edhe ambasadori Kosnett, i cili ka rikujtuar fjalët e Presidentit të Amerikës Donald Trump, teksa ky i fundit e ka cilësuar si një vdekje tragjike dhe e rëndë.
“Presidenti Trump ka deklaruar: „Vdekja e George Floydit në rrugët e Mineapolisit ishte tragjedi e rëndë, që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Kjo vdekje i ka mbushur amerikanët anembanë vendit me ndjenjë të tmerrit, zemërimit dhe pikëllimit”… Prokurorët kanë ndërmarrë hapa të shpejtë për ngritjen e aktakuzës, duke respektuar plotësisht një proces të drejtë për të gjithë të përfshirët në këtë rast”, ka shtuar tutje Kosnett, në një mesazh të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës.
Ndryshe, Kosnett beson se SHBA-ja do ta tejkalojë një moment të tillë të tmerrshëm dhe se do të bëhet edhe më e përkushtuar në përmbushjen e premtimit për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët amerikanë./Gazeta Sinjali/.