image Korrje-shirjet: Peci i bashkëngjitet Kurtit, hip në kombajnë

Politikë

Korrje-shirjet: Peci i bashkëngjitet Kurtit, hip në kombajnë

news image

Në fshatin Sopi të Suharekës kanë filluar korrje-shirjet e grurit, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, po qëndrojnë në këtë fshat gjersa bujqit po i kryejnë punët e tyre.

Ministri Peci, ka shpërndarë disa fotografi ku shihet përkrah Kurtit në kombajnë, i cili është i ulur, ndërsa Peci afër tij qëndron në këmbë.

Ministri i Bujqësisë, ka shkruar se bujku kosovar është më i përkrahuri krahasuar me rajonin – falë mbështetjes së Qeverisë Kurti 2.

Bukën tonë të përditshme, falna sot! Sot së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës, vizituam fermerin Fazli Beqiraj i cili posedon rreth 60 hektarë grurë, ku edhe filluam korrje-shirjen e grurit. Bujku kosovar, falë mbështetjes së Qeverisë Kurti 2, për vetëm një vit udhëheqje është bujku më i përkrahur krahasuar me vendet e rajonit. Qeveria ka prioritizuar bujqësinë duke rritur përkrahjen deri në 52 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022, ku teksa flasim, procesi i kontrollës administrative dhe asaj në teren po vazhdon“, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se një hektar grurë këtë vit subvencionohet me rreth 474 euro. Poashtu sipas tij, bujqit kanë mundësinë e subvencionimit për rendiment të grurit me 0.03 cent për kilogram, përmes dorëzimit në mullinj.

1 ha me grurë këtë vit do të subvencionohet me rreth 474€, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150€ për hektarë. Poashtu, bujqit kanë mundësinë e subvencionimit për rendiment të grurit me 0.03 cent për kilogram, përmes dorëzimit në mullinj. Kultura e grurit ka një rritje prej 216% të mbështetjes financiare krahasuar me qeverisjet e kaluara“, ka shkruar ai.

Peci tutje ka vazhduar duke sqaruar se thjeshtëzimi i procedurës së aplikimit ka sjellë rritje të sipërfaqeve të mbjellura.

Thjeshtëzimi i procedurës së aplikimit ka sjellë rritje të sipërfaqeve të mbjellura, e për fat, këtë vit presim dhe rendiment më të lartë falë kushteve të volitshme klimatike që kanë mbizotëruar në vendin tonë. Djersa e bujkut është dukati me të cilën paguajmë bukën e përditshme andaj duhet vlerësuar maksimalisht“, ka përfunduar ai.

/GazetaSinjali/