image Hoti i bën thirrje Qeverisë që të rrisë subvencionet për bujqit për së paku 25 për qind

Politikë

Hoti i bën thirrje Qeverisë që të rrisë subvencionet për bujqit për së paku 25 për qind

news image

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i ka bërë thirrje urgjente qeverisë që të rrisë subvencionet për bujqësi së paku për 25 për qind, sipas tij, për të ruajtur nivelin ekzistues të aktivitetit bujqësor në vend.

Hoti po ashtu bëri thirrje që subvencionet të paguhen në kohën kur bujqit duhet të blejnë inputet bujqësore.

“Sipas Agjencisë së Statistikave, çmimet e inputeve bujqësore në tremujorin e fundit të vitit 2021 janë rritur me 25.3% krahasuar me një vit më parë. Për plehrat dhe ushqimin e kafshëve në veçanti, rritja e çmimeve ka qenë shumë më e lartë. Me këtë rritje të çmimit të inputeve bujqësore, bujqit do ta kenë të vështirë të mbajnë nivelin e prodhimit si në vitin paraprak. Kjo do të ndikojë në rënien e të ardhurave të mijëra familjeve që aktivitet kryesor e kanë bujqësinë”.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ai tutje ka shkruar se “Efekti negativ do të jetë zinxhiror, pasi do të rritet importi i produkteve bujqësore dhe do të përkeqësohet aftësia konkurruese e prodhuesve kosovarë në tregun e brendshëm dhe të jashtëm”.

Tutje Hoti paralajmëroi se nëse subvencionet nuk rriten, sivjet mund të ketë më shumë tokë djerrë dhe ferma të kafshëve që mbyllen.

“Në kontekst të rritjes së pasigurisë në tregjet globale, është e rëndësisë strategjike sigurimi i një niveli minimal të prodhimit bujqësorë, krahas qëndrueshmërisë së furnizimit me energji që duhet të sigurojë Kosova në afat të gjatë”, përfundoi ish-kryeministri.

/GazetaSinjali/