image Koronavirusi shton varfërinë në Kosovë, mbi 150 telefonata në ditë duke kërkuar ushqim

Kosovë

Pandemia/ Koronavirusi shton varfërinë në Kosovë, mbi 150 telefonata në ditë duke kërkuar ushqim

news image

Në kohën kur Kosova po lufton me pandeminë Covid-19, në Kryqin e Kuq në Prishtinë janë shtuar kërkesat e familjeve në nevojë për ndihma elementare. Në këtë organizatë thonë se brenda ditës pranojnë mbi 150 telefonata nga njerëz që kërkojnë ushqim dhe pajisje higjienike në qytet dhe fshatra të Prishtinës. Ata thonë se po u dalin në ndihmë këtyre familjeve duke shpërndarë pako çdo ditë.

Situata e krijuar me coronavirus në Kosovë e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e familjeve në nevojë.

Shumë biznese e kanë pezulluar punën dhe kërkesat e qytetarëve që jetojnë në kushte të vështira socio-ekonomike, për pako ushqimore e higjienike, janë shtuar.

Sekretari i Kryqit të Kuq në Prishtinë, Hasan Mustafa, tha se numri i thirrjeve në këtë qendër është shtuar pas përhapjes së coronavirusit.

Duke theksuar se n ë këtë qendër janë të regjistruara 1600 familje, ai thotë se numri i njerëzve që po kërkojnë ndihmë është rritur në një përqindje të madhe prej se është përhapur Covid-19.

“Numri i atyre që telefonojnë të ne, lirisht mund të them diku 1000 telefonata javën e kaluar i kemi pasur, tash kjo javë njëjtë po vazhdon sikur javën e kaluar. Javën e kaluar prej Kryqit të Kuq të Prishtinës janë shpërndarë 200 e më shumë pako ushqimore e higjienike, miell për të gjitha familjet që e kemi të verifikuara dhe ato që nuk i kemi të verifikuara”, tha ai.

Ai thotë se shumica janë nga qyteti i Prishtinës, por që ka edhe nga fshatrat përreth.

Mustafa thotë se edhe këtë javë do të vazhdojnë të shpërndajnë ndihma, por që prioritet i kanë ato familje që përballen me mungesa elementare.

“E kemi kategorinë A që e kemi prioritet sepse gjendja e tyre është shumë më e rënduar, sidomos në këtë kohë të pandemisë. Kategoria A është kur nuk kanë kurrfarë të ardhura, objekti i banimit është i dëmtuar tej mase, me fëmijë, nëna vetushqyese, asnjë anëtar i familjes nuk punon, nuk marrin as social, këto raste janë që i përkrahim më shumë ne si Kryq i Kuq”, shtoi ai.

Ai tregon që kërkesat më të shpeshta tani janë për ushqim dhe higjienë, dhe jo për veshmbathje.

Mustafa thotë se aksionet po i realizojnë me vullnetarë dhe biznese e organizata që po shprehin gatishmërinë të ndihmojnë.

Ndërkohë, në këto kohë të vështira pandemie, komunitetit i kanë dalë në ndihmë me pako higjienike edhe disa vullnetarë në Prishtinë./GazetaSinjali/