image Ndryshimet klimatike thellojnë pabarazinë

Botë

Ndryshimet klimatike thellojnë pabarazinë

news image

Marsi dhe prilli ishin muajt më të nxehtë ose pothuajse më të nxehtë të regjistruar në Azinë Jugore. Vala e të nxehtit u shkaktua nga ndryshimet klimatike, thotë Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar.

Valët e të nxehtit si këto, jo vetëm që dobësojnë fuqinë njerëzore, por ato shterojnë financat, shpesh në mënyra të padukshme. Ky është vetëm një shembull se si ndryshimet klimatike po rëndojnë tek ekonomia dhe varfëria.

Vapa ka qenë brutale për punëtorët e ndërtimit, fermerët dhe këdo që punon në natyrë. Këta sektorë përbëjnë gjysmën e fuqisë së krahut në Azinë Jugore.

Por shumë njerëz nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të punojnë. Njëri prej tyre është indiani Kushilal Mandal që punon në ndërtimtari.

Edhe nëse është shumë vapë, ne duhet të punojmë. Po nuk punuam do ngelemi pa bukë. Ne punojmë pavarësisht vapës”, thotë ai.

Temperaturat e larta shkaktojnë probleme shëndetësore, dhe në disa raste vdekje për ata që punojnë jashtë. Shumë kantiere pune mbyllen herët, çfarë do të thotë paga më të vogla.

Në mbarë botën po shtohen orët e humbura të punës si rezultat i temperaturave të larta. Një raport i OKB-së thotë se orët e humbura në vitin 2030 do të jenë baraz me 80 milionë vende pune me orar të plotë.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Teevrat Garg me Universitetin e Kalifornisë thotë se e gjithë bota po preket nga ndryshimet klimatike.

“Këto efekte janë globale, të theksuara dhe të vazhdueshme”, thotë ai.

Zoti Garg, ekonomist në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, thotë se çdo ndërprerje pune me orar të plotë dëmton pagat e punonjësve. Temperaturat e larta nuk i lejojnë njerëzit që të punojnë aq shumë.

“Nuk ka të bëjë me mënyrën se si ndihen punonjësit ose se nuk duan të punojnë për shkak të temperaturave të larta. Por vapa e madhe kufizon aftësitë e tyre për të punuar”, thotë zoti Garg.

Nuk është vetëm puna në ambientet e jashtme që ndikohet nga vapa, thotë ekonomisti i Bankës Botërore, Patrick Behrer.

“Njerëzit mendojmë se puna në fabrikë nuk ndikohet nga vapa. Por jo të gjitha fabrikat dhe uzinat kanë ajër të kondicionuar”, thotë ekonomisti i Bankës Botërore.

Ai thotë se nxehtësia ndikon tek punonjësit edhe nëse nuk kryejnë punë të vështira.

“Temperaturat e larta ndikojnë tek vëmendja, përqendrimi dhe sjellin lodhje të shpejtë. Të gjitha këto çojnë në uljen e prodhimtarisë në punë”.

Ai thotë se përveç rrogës, kjo ndikon edhe tek shëndeti.

“Për shkak të vëmendjes më të paktë, ose lodhjes në punë, rriten gjasat që punonjësit të lëndohen”.

Ekspertët thonë se shoqëria do të përshtatet me temperaturat më të larta dhe se kondicioneri luan rol të rëndësishëm. Por shumë kompani nuk investojnë për pajisje më të mira, apo punësimin e më shumë njerëzve, thotë zoti Garg.

“Përshtatja ka kosto të lartë. Zakonisht sa më i varfër të jesh, aq më e lartë është kostoja”, thotë ai.

Ndërsa rriten temperaturat, thotë zoti Garg, shtetet do të kenë nevojë për programe për zbutjen e efektit tek të varfërit.

“Kur flasim për investimet klimatike, në mendje të vjen rritja e nivelit të oqeaneve dhe kapacitetet e energjisë së ripërtëritëshme, gjë që janë shumë të rëndësishme. Por është gjithashtu e rëndësishme të kemi programe sociale dhe rrjete sigurie, që do të luajnë një rol të madh për popullatat me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, raporton DW.

Ekspertët thonë se pabarazia po rritet së bashku me temperaturat.

/GazetaSinjali/