image Koronavirusi në Ministrinë e Arsimit, IKSHPK s'e teston ministrin dhe zyrtarët që kishin kontakt me të infektuarit

Politikë

Koronavirusi në Ministrinë e Arsimit, IKSHPK s’e teston ministrin dhe zyrtarët që kishin kontakt me të infektuarit

news image

Koronavirusi ka disa ditë që ka mbërritur edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. 4 zyrtarë të MASH-it aktualisht janë të infektuar me COVID-19, ndërsa ministri Ramë Likaj dhe një pjesë e stafit të kësaj ministrie që pritnin të testoheshin dje, megjithatë nuk janë testuar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i ka thënë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) se do t’i testojë vetëm ata që kanë simptoma. Për shkak të kontakteve me të infektuarit, disa zyrtarë të kësaj ministrie janë vetizoluar, por jo edhe ministri Ramë Likaj, ndonëse kishte deklaruar vetë se kishte kontakt me dy zyrtarë të infektuar.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MASH-it, Agim Bërdyna, i ka thënë Gazetës Sinjali se nuk është testuar askush nga lista e zyrtarëve që kishin kontakt me të infektuarit e fundit në këtë digaster, përfshirë edhe ministrin. Kështu thotë se ka vendosur IKSHPK-ja.

“Asnjë nuk është testu. Na kanë thënë që vetëm kush ka simptome, përndryshe nuk bëhet më testim qysh i kemi dërgu ne kërkesat e listat. Normal as ministri nuk do të testohet. Na ka ardhë letra prej Institutit që vetëm ai që ka simptome, testohet, përndryshe testim nuk ka”, ka thënë Bërdyna.

Pasi ministri Ramë Likaj nuk u vetizolua as javën e kaluar, Bërdyna ka thënë se ai po vazhdon të shkojë në punë normalisht.

“Jo, jo, ministri është duke punu normalisht, edhe unë si sekretar. Vetëm po i respektojmë këto rregullat që na kanë thënë”, ka thënë Bërdyna për Sinjalin.

Para pesë ditësh, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj njoftoi se kishte pasur kontakt me dy zyrtarë të kësaj ministrie të cilët kishin rezultuar pozitivë me COVID-19

“Dy zyrtarë në Ministrinë e Arsimit janë pozitiv me COVID-19. Unë kam pasë kontakt me ta, nga distanca”, kishte thënë ai.

Në anën tjetër, Bërdyna ka thënë se zyrtarët që janë vetizoluar, momentalisht janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë simptoma të virusit.

“Kontakte në tana anët, por njëherë jemi mirë se ata janë vetizolu dhe po besoj në lidhje me shëndet asnjëri s’ka problem, e të shohim”, ka thënë Bërdyna.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), simptomat e koronavirusit te njeriu mund të shfaqen edhe disa ditë pas infektimit. /Gazeta Sinjali