Mënyrat e sofistikuara të manipulimit në testimin për patentë shoferë të organizuara nga grupe të ndryshme kriminale, me qëllim të përfitimit të mjeteve financiare janë në rritje. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Qendrën për Patentë Shofer në Gjilan, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se një zyrtar i kësaj qendre ka kapur në flagrancë një kandidat duke kopjuar, i cili më pas në shenjë hakmarrjeje e kërcënoi.
Sinjali ka mësuar se si ndodhi ngjarja dhe ju sjellë më poshtë detajet.
Incidentit që ndodhi më 12 maj në Qendrën për Patentë Shofer në Gjilan dyshohet se i parapriu një rast i kapjes në flagrancë të një kandidati, i cili kishte vendosur në vesh pajisje të veçantë për komunikim nga distanca, përmes të cilës i është mundësuar komunikimi me persona nga jashtë, për diktimin e përgjigjeve të saktë për testin teorik.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se derisa po mbahej procesi i testit teorik, koordinatori i kësaj Qendre e ka vërejtur se diçka nuk po shkon në rregull dhe ka filluar ta vëzhgojë për ta konfirmuar dyshimin e tij se kandidati në fjalë po manipulon.
Përmes kufjeve të vendosura në vesh, kandidati dyshohet se ka kopjuar përgjigjet e provimit, deri në momentin kur është kapur në flagrancë nga koordinatori, i cili menjëherë është vënë në veprim dhe ka larguar kandidatin e dyshuar nga salla ku është mbajtur provimi.
Kjo i kushtoi kandidatit të dyshuar, pasi bazuar në rregulloren e Punës, është nxjerrë vendim që të njëjtit t’i ndalohet për një periudhë 1-vjeçare hyrja në testin teorik për patentë shofer.
Hakmarrja e kandidatit ndaj zyrtarit që e kapi në flagrancë
Meqë plani për manipulim nuk i shkoi siç duhet, kandidati i dyshuar vendosi që të hakmerrej ndaj koordinatorit që e kapi duke kopjuar. Sinjali mëson se pak minuta pasi i njëjti u nxor nga salla ku mbahej procesi i provimit për patentë shofer, kandidati u kthye sërish, me qëllimin për ta kërcënuar zyrtarin e qendrës.
Së bashku me një mik të tij, kandidati me inicialet L.P., dyshohet se shkoi në objektin e Qendrës për Patentë Shofer dhe kanosi seriozisht zyrtarin A.A. Rasti nuk mbaroi me kaq, pasi ky i fundit, zyrtari i departamentit vendosi të denoncojë në Polici të dyshuarin, për shkak të shqetësimit që ia ka shkaktuar përmes fjalëve kërcënuese.
Me t’u raportuar rasti, Njësia e Hetimeve Rajonale është vënë në lëvizje dhe kanë shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ndaj të cilit prokurori kujdestar ka dhënë urdhër për ndalimin prej 48 orësh, për veprën penale “kanosje”.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet brenda Departamentit për Patentë Shofer se dukuria e futjes në provim teorik për patentë shofer me pajisje elektronike është në rritje dhe se një gjë e tillë po organizohet nga grupe kriminale me qëllim të përfitimit të mjeteve financiare.
Kujtojmë se Sinjali edhe më parë ka raportuar për dukuri të tilla, për të cilat kishin zhvilluar aksione që kanë rezultuar me persona të arrestuar si të dyshuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.