Sot në Qendrën për Patentë Shofer që ndodhet afër Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, monitoruesit e testimeve në kuadër të grupit inspektues, të formuar me udhëzimin adminisrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Infrastrukturës kanë hasur në një mënyrë të re të manipulimit me testime për patentë shoferë.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se ky grup inspektues ka hasur në dy persona të cilët kishin të vendosur në vesh pajisje të posaçme për komunikim nga distanca, të cilat ua kanë mundësuar komunikimin me persona nga jashtë, nga ku ua kanë diktuar kandidatëve përgjigjet e sakta për testin teorik të kategorisë C.
Këto burime bëjnë të ditur se kandidati i parë K..M. (emër i njohur për redaksinë) i cili kishte përfunduar përgatitjen në autoshkollën “Instruktori” u has me këtë pajisje nga monitoruesit gjatë procesit të testimit teorik rreth orës 11:10.
Në po të njëjtën sallë, 15 minuta më vonë, rreth orës 11:25, burimet tregojnë se një kandidati tjetër me iniciale A.F. (emër i njohur për redaksinë) i është gjetur një pajisje e njëjtë në jakne.
Të dy kandidatët janë arrestuar dhe ka filluar hetimi për personat që i kanë pajisur ata me atë pajisje dhe ua kanë diktuar përgjigjet nga distanca.
Gazeta Sinjali mëson se përveç prokurorit, me rastin në fjalë është informuar edhe Njësia e Krimeve Ekonomike dhe nga hetimet e para del se personat që e kanë organizuar këtë manipulim me teste janë nga autoshkolla.
Burimet brenda policisë kanë bërë të ditur se njëri nga kandidatët ka pranuar se ka paguar deri në 800 euro autoshkollën për t’ia treguar përgjigjet dhe për ta pajisur me pajisjet e sofistikuara për kopjim./Gazeta Sinjali/