Bajrush Xhemaili, koordinatori i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për punësim të anëtarëve të partisë i është futur garës për deputet të Kuvendit të Kosovës nga partia e Kadri Veselit. Burime të sigurta të Gazetës Sinjali kanë konfirmuar se që nga themelimi i Qeverisë Haradinaj ai kishte mbajtur këtë pozitë, raporton Gazeta Sinjali.
Xhemaili kishte marr detyrë të veçantë nga Kadri Veseli për t’u koordinuar me anëtarët e tjerë të partnerit të koalicionit për t’i punësuar anëtarët e PDK-së.
Burimet në kryesinë e PDK-së dhe degëve të kësaj partie konfirmojnë për Gazetën Sinjalin se Xhemaili ishte takuar me koordinatorët e tjerë nga partnerët e koalicionit për t’u koordinuar për punësimin e anëtarëve partiakë.
I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Xhemaili ka mohuar se mbanë një pozitë të tillë.
“Këto janë gënjeshtra të qarta dhe janë dezinformata”, ka deklaruar Xhemaili për Gazetën Sinjalin.
Por, sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Xhemaili duke pasur këtë detyrë unike në PDK kishte qenë ura lidhëse mes degëve të PDK-së për punësimin e të rinjve në ministritë që udhëhiqeshin nga PDK dhe zbatuar marrëveshjet politike mes partnerëve të koalicionit.
Mbetet të shihet nëse prokuroria do të fillojë hetimin edhe për Veselin dhe të tjerët që janë marrë me punësimin e anëtarëve të partisë, bazuar në preferencat partiake.
Vet personi që ka emëruar Bajrush Xhemilin në postin e koordinatorit, ka kërkuar nga të akuzuarit në rastin “Pronto” që të lënë postet e tyre në parti dhe ekzekutiv, deri në përfundimin e procesit gjyqësor kundër tyre
Një rol të tillë, por me përgjegjësi më të lartë dyshohet se e kishte pasur Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti, ndaj të cilëve ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Grabovci në disa përgjime të publikuara dëgjohej duke përzgjedhur anëtarët e kryesisë së bordeve publike. Kriteri i vetëm për punësim siç dëgjohej nga përgjimet, kishte qenë përkatësia partiake e kandidatit.
Adem Grabovci dëgjohet duke ia lexuar emrat e kandidatëve Njazi Kryeziut, ish-këshilltar i kryeparlamentarit, njëkohësisht kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Kryeziu ia përzgjidhte kandidatin ‘meritor’ për një pozitë shtetërore në bazë të partisë politike.
Aktualisht janë duke u gjykuar disa anëtarë të PDK-së në rastin e njohur si “Pronto”, të cilët po dyshohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare. Përkundër kësaj, Kadri Veseli për zgjedhjet e 6 tetorit ka filluar duke bërë fushatë se do ta luftojë korrupsionin dhe nepotizmin.
Që nga kjo fushatë, Sinjali ka raportuar për disa raste ku anëtarët e PDK-së apo të afërmit e tyre janë punësuar apo avancuar në institucionet publike si në PTK./Sinjali/