image Konjufca takon Nikollën: Jemi një komb e dy shtete - Sinjali

Konjufca takon Nikollën: Jemi një komb e dy shtete

news image

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, më të cilën diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë e Shqipëri, si dhe për mënyrat e forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat.

Të dy homologët ndanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me nevojën e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, në funksion të realizimit sa më të plotë të funksioneve kushtetuese të tyre dhe agjendave të përbashkëta integruese.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Nikollës që nga marrja e pozitës së kryekuvendares shqiptare dhe për këtë arsye Konjufca u shpreh i nderuar që ishte ai nikoqiri i saj.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se marrëdhëniet midis dy vendeve nuk mund të konsiderohen vetëm marrëdhënie miqësie e partneriteti, por vëllazërore.

Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën ndër vite dhe dekada, si në aspiratën për çlirim, ashtu edhe në arritjen e pavarësisë, konsolidimin e institucioneve demokratike, si dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetësisë së saj.

“Ne vazhdimisht kemi pasur marrëdhënie të mira me Republikën e Shqipërisë dhe ato diktohen për shkak të një fakti të qartë dhe të thjeshtë, për të cilin është i vetëdijshëm çdo qytetar i Kosovës dhe Shqipërisë. E ky është fakti që jemi një komb, i cili jeton sot në dy shtete por edhe përtej tyre”, theksoi Konjufca.

Kryekuvendari shtoi se meqenëse në çdo dimension ekziston një bashkëpunim i admirueshëm midis institucioneve tona, përfshirë edhe mbledhjet e rregullta të përbashkëta të të dyja qeverive, tani, siç tha ai, ekziston një hapësirë e konsiderueshme e thellimit të bashkëpunimit edhe midis dy parlamenteve. 

“Deri tash kemi pasur në disa rrafshe një bashkëpunim më intensiv, sidomos në fushën e legjislacionit e të politikës së jashtme, por ne duhet të shkojmë drejt një platforme të takimeve të rregullta të komisioneve tona, në mënyrë që të bëjmë projekte të përbashkëta dhe të ulemi e të bashkëpunojmë në ato fusha të cilat na lidhin ngushtë dhe janë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.”

Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi se Shqipëria dhe Kosova do të lidhen edhe më shumë me njëra tjetrën në vitet në vijim, për arsye se, siç tha ai, ky është në fakt thelbi i interesit të përbashkët kombëtar.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, u shpreh e nderuar që gjendet në Kosovë, duke shtuar se kjo vizitë tregon se nuk ka më kohë për të humbur dhe se duhet që me forca të shtuara të rriten bashkëpunimi dhe bashkërendimi, në mënyrë që rezultatet të jenë edhe më të prekshme.

Nikolla tha se veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një ndër prioritetet e saj në krye të legjislativit shqiptar.

Ajo tha se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë për të rivitalizuar procesin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë, të punojnë për ndaljen e ofensivës diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve.

Ajo po ashtu tha se duhet punuar më shumë në forumet ndërkombëtare që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht, duke ridëshmuar se Serbia ka bërë krime lufte, gjenocid dhe ka fshehur kriminelët.

Kryeparlamentarja Nikolla tha se integrimi evropian mbetet aspiratë e të dyja vendeve.

“Bashkimi Evropian është destinacioni ynë i përbashkët. Shpresojmë që brenda kryesimit slloven të BE-së, Shqipëria të organizojë konferencën e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave, ndërsa Kosova të marrë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.”

Në fund të fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ftoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për vizitë në Tiranë.

Nikolla po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të kryekuvendarit Glauk Konjufca dhe gjatë ditës do të takojë edhe drejtues të tjerë të lartë shtetërorë./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin