Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, ka thënë se në rast se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese do t’i japë të drejtë dekretit të presidentit për mandatarin, atëherë zgjedhjet e humbin kuptimin.
Ai ka ironizuar duke thënë se në rast se kjo do të ndodhë, atëherë duhet “me dalë me thënë nuk keni nevojë me dalë në zgjedhje”, shkruan Gazeta Sinjali.
“Atëherë ditën e mirë zgjedhjeve në Kosovë. Qytetarë të nderuar, natën e mirë u them unë këtu. Atëherë, unë kam me dalë me thënë nuk keni nevojë me dalë në zgjedhje, sepse krejt për çka ju jepni premtime në zgjedhje, krejt se sa përqind i keni marrë, krejt që thoni kemi me bë koalicion me këtë se ky tjetri duhet me shku në opozitë, krejt këto bijnë në ujë, krejt janë gënjeshtra, sepse në Kosovë gjithçka është e mundshme”, tha ai në Rubikon.
“Nuk është e mundshme kështu”, ka shtuar Konjufca, duke thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka bazë që të mos i miratojë pretendimet e dërguara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithatë, ai ka thënë se beson që aktgjykimi i Kushtetueses do ta ndalë formimin e një qeverie të re pa zgjedhje. /Gazeta Sinjali/