Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami, ka ngushëlluar familjen Hoti, me rastin e ndarjes nga jeta të familjarit dhe artistit të mirënjohur Shaqir Hoti.
Ky është telegrami i ngushëllimit:
E nderuar familje Hoti,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëfamiljarit tuaj, artistit dhe instrumentistit shumëdimensional, z. Shaqir Hoti.
Jemi rritur nën tingujt e ëmbël të flautës, fyellit e kavallit të Bacës Shaqë. Këta tinguj epik ishin ninullat tona, frymëzim i brezave kundrejt trashëgimisë kulturore dhe vlerave autoktone të popullit tonë.
Duart e arta të Bacës Shaqë punuan nga argjila edhe Okarinën mijëra vjeçare ilire e fryma e tij ringjalli zërin e këtij instrumenti autokton të paraardhësve tanë.
Bashkëndjejmë dhimbjen e madhe me familjen tuaj, miqtë, bashkëpunëtorët dhe mbarë komunitetin artistik, për humbjen e njeriut të dashur, kompozitorit, instrumentistit dhe mjeshtrit të rrallë të instrumenteve frymore tradicionale.
Bacën Shaqë do ta kujtojmë përmes tingujve të tij dhe do t’i jemi mirënjohës për opusin e begatë muzikor, që na e la trashëgim. Qoftë i përhershëm kujtimi për të!.