Policia e Pejës ka dhënë detaje rreth aksionit të djeshëm gjatë të cilit janë gjetur në një depo mbi 3 mijë kilogramë mish të llojeve të ndryshme, kurse në stallën e objektit 7 lopë.
Në një njoftim, Policia thotë se aksioni i bastisjes është kryer në fshatin Sigë të komunës së Pejës sipas urdhëresës së Gjykatës.
“Gjatë bastisjes në një depo janë gjetur të deponuara lëkura të kafshëve dhe rreth tre mijë e dy qind (3200) kilogram lloje të ndryshme të mishit, dhe në stallën e këtij objekti janë gjetur shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe pa numër identifikues”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pasi që janë njoftuar nga Policia, në vend të ngjarjes kanë dalë inspektorët e AUV-së dhe doganierët.
“Pas verifikimit të objektit nga inspektorët është konstatuar se depoja në fjalë nuk i plotëson kushtet higjieno-sanitare dhe janë vendosur vulat zyrtare (bllombat) në dyert e depos deri sa të krijohen kushtet për asgjësim, ndërsa shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe janë konfiskuar pasi që nga i dyshuari nuk është prezantuar ndonjë dokument për identifikimin e prejardhjes së tyre”, thuhet tutje në njoftim.
Lidhur me këtë rast, është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale – prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor./ Gazeta Sinjali/