Pas raportimit të Gazetës Sinjali lidhur me arrestimin e një polici për ryshfet në Qafën e Prushit, ka reaguar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, i cili ka konfirmuar masën e ndalimit.
Gazeta Sinjali ka mësuar se Qamil Delija, është zyrtari policor që sot gjatë ditës u arrestua në Qafën e Prushit për ryshfet.
IPK përmes një kumtese thotë se sot në orët e pasdites ka arrestuar në flagrancë zyrtarin policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “marrje të ryshfetit”.
“Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët bazuar në informacionet e siguruara përmes rrugëve operative hetimore.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë Themelore të Pejës në këtë rast kanë përdorur edhe masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit. Zyrtarit të arrestuar i cili ka qenë i angazhuar në policinë kufitare (stacioni policor kufitar i Qafë Prushit) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në kumtesë.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim dhe koordinim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.