image Komuna me 39 viktima nga COVID-19 apelon për kujdes maksimal

Shëndetësi

Komuna me 39 viktima nga COVID-19 apelon për kujdes maksimal

news image

Komiteti i Emergjencave nën kryesimin e drejtorit, Selami Xhemajli, ka bërë vlerësimin e gjendjes me COVID-19 dhe apelon të gjithë qytetarët, punëtorët në sektorin privat dhe në atë publik, që të jenë të vendosur në përdorimin e masave mbrojtëse, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit të ri.

Pasi ka marrë vlerësimin e gjendjes nëpër institucionet shëndetësore dhe atyre të sigurisë, Xhemajli ka apeluar për kujdes maksimal ndaj COVID-19.

“Gjendja është e qetë, por kërkohet respektim strikt i masave mbrojtëse, në mënyrë që gjendja të jetë nën kontroll. Qytetarët e Gjilanit janë duke bashkëpunuar me institucionet komunale dhe po respektojnë vendimet e qeverisë dhe rekomandimet e mjekëve. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë deri në përmirësimin e plotë të gjendjes dhe eliminimin e COVID-19”, ka thënë ai.

Në bazë të shifrave të përgjithshme të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, Komuna e Gjilanit ka regjistruar gjithsej 916 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 738 janë shëruar, 39 kanë vdekur, ndërsa 139 raste janë ende aktive, prej tyre 29 janë të hospitalizuar.

Në rezultatet e sotme nga 11 mostra të testuara, 8 raste kanë rezultuar pozitivë, ndërsa 38 mostra janë në pritje të testimit në IKSHPK./Gazeta Sinjali/