U vendosën më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit në qytetin e Prizrenit, vendi që ishte vatër e shumë ngjarjeve historike por, ndonëse, janë figurat më sublime të historisë së kombit shqiptar, shtatorja e heroit Gjergj Kastriotit- Skënderbeu dhe ajo e Adem Jasharit, nuk janë pritur fare mirë nga qytetarët.
Madje, disa thanë se shtatoret me atë pamje janë vetëm ofendim për këto dy figura.
Mirëpo, drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, ka thënë se për punimin e shtatores së heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu kanë kontribuar edhe disa skulptorë gjermanë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, ata kanë ardhur nga Gjermania për ta ndihmuar skulptorin Sinan Aliajn.
“Ka pasë të angazhuar edhe skulptorë gjermanë të cilët kanë ardhë nga Gjermania për ta ndihmuar Sinan Alijan dhe që e kanë finalizu projektin”, tha Hajdari për Gazetën Sinjali.
Ai thotë se i gjithë projekti, i cili kap shumën e 70 mijë eurove, është financuar nga shoqata e diasporës “Trojet e Arbërit”.
“Fillimisht Kuvendi i Prizrenit në vittin 2018 ka vendosë që të vendoset një bust për shkak se viti 2018 ishte vit i Skënderbeut. Shoqata Trojet e Arbërit ka ofru fonde për një shtatore, se është diskutuar se figura e Skënderbeut nuk duhet të jetë vetëm bust, por shtatore. Komuna e Prizrenit ka në procedura prokuruse dy shtatore të dy figurave të luftës së fundit, Selajdin Berishës, për të cilën veç është bërë kontrata me skulptorin nga Shqipëria dhe shtatorja e Adem Jasharit e cila është në procedurë dhe gjatë dhjetorit pritet të ketë kontratë”, sqaroi ai.
Në të dyja këto projekte të ardhshme Komuna është financuese dhe ideatore, ndërkaq Osman Hajdari është menaxher i projekteve.
Shtatorja e Skënderbeut u punua nga asamblisti i Komunës së Prizrenit
Shtatoren e Skënderbeut e ka bërë skulptori Sinan Alija, i cili është asamblist në Kuvendin e Prizrenit.
Ani pse në webfaqen e Komunës, ai figuron se vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Alija këtë gjë e ka mohuar për Gazetën Sinjali.
Ai tha se tani është asamblist i pavarur, pasi që është larguar nga kjo parti që gati 1 vit.
“Jo, nuk jam nga radhët e Nismës. Jam i pavarur. Jo, kam qenë pjesë e Nismës, sot jam i pavarur. Ka gati 1 vit që jam largu. Projekti është financu nga shoqata “Trojet e Arbërit”, nuk ka të bëj me Komunë. Unë e kam bërë modelin e shtatores dhe ata e kanë bërë përzgjedhjen. Dy, tri variacione i kam pasur për Skënderbeun dhe në mesin e tyre është përzgjedhur kjo, si koncept. Nuk e di a ka kontaktu ata edhe me dikë tjetër, nuk ka qenë e jemja. Ata e kanë pjesën organizative se si kanë ardhë deri te unë”, tha Alijaj për Gazetën Sinjali.
Skulptori refuzoi të tregojë se sa është shuma që ai personalisht ka marrë për këtë projekt, i cili në tërësi ka kushtuar 70 mijë euro.
Nëse merren edhe kritika nga profesionistë, shtatorja do të largohet
Megjithëse u vendos në një qytet historik dhe në një ditë të veçantë për kombin shqiptar, në atë të flamurit, kjo shtatore nuk u kursye nga kritika të shumta.
Përveç qytetarëve, shtatorja e heroit u kritikua edhe nga politikanët, madje Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të mbahet seancë e jashtëzakonshme për zhvendosjen dhe rimodelimin e saj.
Drejtori i Adminsitratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, tha se reagimet e partive politike janë jorealiste, për shkak se sipas tij, anëtarët e subjekteve politike kur të kritikojnë duhet ta pyes veten se çka kanë bërë për këtë çështje ata vetë.
“Mu si drejtor më është refuzuar kërkesa dy herë nga Qendra për Trashëgimi Kulturore për me vendos në Shatërvan. Asnjë subjekt, asnjë anëtar i Kuvendit nuk ka reagu se çka po ndodhë. Pastaj kur është zhvendos te Benafi ka pasë reagim. Në këto shtatore s’duhet me pasë mendim politik. Politikanët nuk mund të vlerësojnë një vepër arti. Natyrisht skulptorët e ndryshëm, artistët e historianët mund ta vlerësojnë veprën e tij. Komuna po atakohet, ne jemi të gatshëm të kemi përgjegjësi për këtë gjë, ajo nuk është e vendosur pa leje”, tha ai.
Ai thotë se nuk ia vlen të merren parasysh kritikat e opozitës, pasi që thotë se këto parti kanë keqpërdorur që 20 vjet me procedura tenderuese të shtatoreve.
“Ata në të kaluarën nuk kanë bërë asgjë dhe po e shfrytëzojnë si rast për me ataku komunën dhe kryetarin”, tha ai.
Mirëpo, ai thotë se do të trajtohen me seriozitet reagimet e qytetarëve dhe se do të merren veprime në koordinim me autorin e saj dhe me shoqatën që e ka financuar këtë projekt.
“Heqja e shtatores është hap me peshë, së pari e drejta e autorit, e dyta donatori që e ka financu, e treta është një vendim i Kuvendit. Nëse na bijmë pre e zërave kritikë të momentit dhe e heqim shtatoren, nuk është e arsyeshme. Pra është vendim i Kuvendit, do të trajtohet me seriozitet reagimi i qytetarëve, natyrisht edhe me skulptorin edhe me shoqatën edhe me kuvendin, pastaj do shofim se çfarë do veprohet”, tha Hajdari.
Ndërkaq, sa i përket shtatores së komandantit Adem Jashari e cila u vendos më 28 nëntor në Prizren dhe u larguar nga aty vetëm dy ditë më pas, Hajdari thotë se Komuna nuk ka kurrëfarë qasje. Prandaj, thotë se nuk mban asnjë përgjegjësi, pasi që sipas tij, drejtoria që ai udhëheq ka siguruar vetëm lokacionin dhe bazamentin e saj.
“Komuna nuk ka kurrfarë qasje në shtatoren e Adem Jasharit, qendra tregtare “Abi Çarshia” e vendosi privatisht, nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk kanë informacion, drejtoria e Administratës ia siguruan vetëm lokacionin dhe bazamentin e shtatores”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/