image Komuna e Kamenicës bën reforma 'krye në veti', MASHT thotë se nuk ka marrë leje

Kosovë

Arsim/ Komuna e Kamenicës bën reforma ‘krye në veti’, MASHT thotë se nuk ka marrë leje

news image

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kamenicës  ka paditur 23 prindër për moszbatim të reformës arsimore, por sipas Ministrisë së Arsimit e Shkencës edhe Teknologjisë, komuna e cila drejtohet nga Qëndron Kastrati nuk ka marrë leje për t’i bërë këto reforma në arsim.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogun, i cili ka thënë se Komuna e Kamenicës nuk ka marrë leje për t’i bërë këto reforma në arsim.

Ai ka thënë se sipas ligjit Ministria e Arsimit është ajo e cila i formon institucionet dhe ajo vet vendosë për mbylljen e tyre.

“S’ka marrë leje prej Ministrisë së Arsimit as nuk ka bërë kërkesë në Ministri të Arsimit që po i bënë reformat. Shiko nuk e di, ligji e përcakton shumë çështje të qarta, kur hapet shkolla dhe kush është themelues i shkollës. Themelues i institucioneve është Ministria e Arsimit dhe vendimi që e nxjerr ministri i Arsimit. Nuk di më tutje unë po flas ligjërisht. Çka bën ai, secili mban përgjegjësi për veti.  Është kryetari i komunës”, ka thënë Alush Istogu.

Drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, ka njoftuar se kanë marrë një rekomandim nga asambleja e Komunës së Kamenicës për t’i ndalur reformat në arsim.

“Ne e kemi marr konfirmimin me rekomandim prej asamblesë të Komunës së Kamenicës,  me datën 07.02 i rekomandon kryetarit të komunës me i ndal reformat dhe u normalizu çështja e arsimit”, ka thënë Istogu për Gazetën Sinjali.

Ndryshe thonë nga Komuna e Kamenicës. Mirhane Morina e cila e ushtron detyrën e Drejtoreshës së Arsimit në këtë komunë, ka thënë se për t’i realizuar kompetencat e veta nuk parashihet që Komuna e Kamenicës duhet të marrë leje nga Ministria. Ajo ka deklaruar se janë konsultuar për këtë riorganizim.

“Komuna për realizimin e kompetencave të saj nuk parashihet të marrë leje nga Ministria, ne jemi konsultuar me MAShT para marrjes se vendimeve për riorganizimin”, ka thënë Mirhane Morina për Gazetën Sinjali.

Ndërsa për padinë ndaj 23 prindërve ajo ka deklaruar se është bërë për shkak të mohimit të drejtës për arsim, dhe sipas saj Komuna e Kamenicës do ngre padi ndaj të gjithë prindërve që nuk e përmbushin këtë përgjegjësi.

“Padia për prindërit është bërë për shkak se sipas ligjit e drejta në arsim nuk guxon t’i mohohet askujt dhe është përgjegjësia kryesore e prindit. Sipas UA të MAShT, Drejtoria Komunale për Arsim ngre padi kundërvajtëse ndaj prindërve qe nuk përmbushin këtë përgjegjësi. Obligohemi që për të -gjithë prindërit që nuk kujdesen për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre të kërkojmë nga gjykata zhvillimin e procedurës kundërvajtëse”, ka thënë Mirhane Morina.

Gazeta Sinjali ka raportuar edhe më parë për reformën në arsim në Komunën e Kamenicës. Po ashtu edhe për shkollën “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë. Për 72 vjet rresht kjo shkollë ishte funksionale, ndërsa komuna tashmë ka vendosur që ta bashkojë me shkollën “Fan S. Noli” edhe pse në të vijojnë mësim 104 nxënës. /Gazeta Sinjali/