COVID-19

Të infektuar

10590

Të shëruar

6248

Të vdekur

354

Arsim/ Banorët financojnë mësimdhënësit dhe blejnë drutë e dimrit për shkollën ‘ilegale’ të Qëndron Kastratit

news image

Komuna e Kamenicës e drejtuar nga Qëndron Kastrati, e ka larguar nga lista e ekzistimit shkollën “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë.  Për 72 vjet rresht kjo shkollë ishte funksionale, ndërsa komuna tashmë ka vendosur që ta bashkojë me shkollën “Fan S. Noli” edhe pse në të vijojnë mësim 104 nxënës, raporton Gazeta Sinjali.

Se kjo shkollë funksionon ende është konfirmuar nga drejtuesit e kësaj shkolle si dhe nga Ministria e Arsimit. Por, qasje krejt tjetër ka Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kamenicës.

Lista e shkollave në Komunën e Kamenicës
Lista e shkollave në Komunën e Kamenicës

Mësimdhënësit po vazhdojnë punën e tyre në këtë shkollë, pavarësisht se disa prej tyre janë larguar nga pagat mujore. Gazeta Sinjali mëson se shkolla “Hasan Prishtina” në Kamenicë është duke funksionar ende, ani pse jo me legjitimitet të Komunës së Kamenicës. Madje, mësimdhënësit po financohet nga banorët e fshatit.

Katër mësimdhënësit që mbetet pa punë pas reformave të Qëndron Kastratit, janë angazhuar në shkollë që tashmë është ilegale në Kamenicë. Ata pasi mbeten pa punë nga Drejtoria e Arsimit, janë angazhuar në shkollën “Hasan Prishtina” që financohet nga vet banorët.

Përveç, pagave të mësimdhënësve Gazeta Sinjali, mëson se banorët i kanë dërguar kësaj shkolle 40 metra dru për ngrohjen e nxënësve.

Nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” në Kamenicë

Drejtori i kësaj shkolle që është zgjedhur nga vet banorët, Abedin Maliqi, për Gazetën Sinjali ka thënë se kjo shkollë është duke funksionuar ilegalisht vetëm për Qëndron Kastratin.

“Ne punojmë në mënyrë legale, jemi shkollë që 72 vite, ne punojmë në objekte tona. Ne jemi shkollë ilegale vetëm për Qëndron Kastratin, ne jemi legal, kemi shkollën tonë. Nxënësit tonë. Unë jam drejtor i zgjedhur nga populli, populli ma ka dhënë imunitetin”, ka thënë drejtori i shkollës, Abedin Maliqi.

Maliqi ka thënë se për bashkimin e shkollës “Hasan Prishtina” me shkollën “Fan S. Noli”, janë njoftuar përmes një komunikate dhe se për këtë veprim nuk është lëshuar vendim nga Komuna e Kamenicës.

Nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” në orë mësimi

“Jo, nuk kemi vendim për me u mbyll, sepse e dinë që është e kundërligjshme, vetëm përmes një komunikate jemi njoftuar, kurse vendim për me e mbyll shkollën nuk ka të drejtë. Ne e kemi vendim nga Ministria e Arsimit si shkollë e pa varur”, ka thënë drejtori i shkollës.

Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Kamenicës, Mirhane Morina, për Gazetën Sinjali ka thënë se shkolla “Hasan Prishtina” në Busavatë nuk është mbyllur, por është bashkuar me shkollën “Fan S. Noli”.

“Shkolla ‘Hasan Prishtina’ nuk është mbyllur, por është bashkuar me Shkollën ‘Fan S. Noli’, kërkesa jonë për themelimin e institucioneve të arsimit ka këtë përmbajtje: ‘Fan S. Noli’ do të jetë shkollë fillore. ‘Hasan Prishtina’ do të jetë shkollë e mesme e ulët, pra dy shkolla të ndryshme në të njëjtin objekt mësimi”, ka thënë Morina.

Sipas saj, shkolla në fshatin Busavatë është mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

“Arsyeja kryesore e këtij riorganizimi është numri i vogël i nxënësve në klasë dhe trendi gjithnjë në rënie i numrit te nxënësve, që e determinon socializmin, zbatimin e kurikules dhe cilësinë në arsim”, ka thënë Morina.

Drejtori i kësaj shkolle, e ka mohuar se shkaku i mbylljes është numri i vogël i nxënësve, sipas tij në shkollën “Hasan Prishtina” vijojnë mësimin 104 nxënës.

“Ne i kemi 104 nxënës këtë vit, 106 nxënës i kemi pas vitin e kaluar, jemi shkolla e dhjetë për nga numri i nxënësve në Komunën e Kamenicës”, ka thënë drejtori i kësaj shkolle, Abedin Maliqi.

Shkolla “Hasan Prishtina” dhe objekti i ri i shkollës, nxënësit e kësaj shkolle

Drejtori i shkollës pretendon se Ministria e Arsimit, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe kryetari i kësaj komune i ka gënjyer gjatë implementimit të reformës në arsim.

“Kryetari i Komunës i ka gënjyer se ju ka thënë se do t’i bashkoj shkollat me një ose dy nxënës, Ministria e Arsimit e ka kundërshtuar këtë reformë” ka thënë ai.

Drejtori i Arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, për Gazetën Sinjali ka thënë se reforma e bërë nga Qëndron Kastrati në Kamenicë nuk është në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe nuk ka njoftuar se si strategji do të funksionoj.

“Çështja e reformës që e ka bërë kryetari i komunës së Kamenicës është një çështje që ai e ka marrë pa komunikuar me Ministrinë e Arsimit, pa e bërë një strategji se si do të duket ajo reformë dhe ajo është përgjegjësi i tij”, ka thënë Alush Istogu.

Drejtori i Arsimit parauniversitar ka thënë se Komuna e Kamenicës nuk ka marrë leje për ta mbyllur shkollën “Hasan Prishtina”, sipas tij nuk mundet askush përveç ministrisë ta marrë një vendim për mbyllje.

“Në të gjitha dokumente tona  për ligjin e Arsimit parauniversitar 2011 dhe ligjin e arsimit për vitin 2008 për arsimin e komunave, çështja e themelimit të shkollave dhe mos funksionimit të shkollave është kompetencë e ministrisë. Komuna duhet me bë kërkesë, ai që është themelues ai është përgjegjës për mos funksionimin e një institucioni. Ne nuk kemi kërkesë nga Komuna e Kamenicës për një çështje të tillë , ajo është përgjegjësi e komunës”, ka thënë Istogu.

Alushi ka njoftuar se Ministria e Arsimit është duke ndërtuar objektin e ri të shkollës “Hasan Prishtina”, të cilën komuna e ka bashkuar me shkollën “Fan S.Noli”.

Objekti i ri i shollës “Hasan Prishtina”
Objekti i ri i shkollës “Hasan Prishtina”

“Objekti që është duke e ndërtuar Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë është duke u ndërtuar në bazë të kërkesës që e ka bërë Komuna e Kamenicës dhe shkolla përkatëse dhe për atë ka filluar projekti i ndërtimit. Në si ministri e arsimit kemi qenë në shkollat në fjalë dhe është inspektorati duke i bërë analizat në tërësi në ato shkolla që nuk është duke u mbajt mësimi në arsimin para universitar”, ka thënë Alushi.

Ismet Maliqi, mësimdhënës i Gjuhës Angleze në shkollën, “Hasan Prishtina”, ka thënë për Gazetën Sinjali se është larguar nga lista e pagave.

Vendim për largim nga lista e pagave

“Unë për momentin jam në shkollën ‘Hasan Prishtina’ në Busavatë, Komuna e Kamenicës. Sipas kryetarit të Komunës, në jemi shkollë që nuk ekziston që nga 1 shtatori. Qytetarët kanë bërë peticione, kemi protestuar edhe para Ministrisë së Arsimit në Prishtinë edhe para Komunës së Kamenicës, kemi protestuar që jemi kundër reformës në arsim”, ka thënë mësimdhënësi.

Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Kamenicës, Mirhane Morina, ka thënë se do të largohen nga lista e pagave dhe mësimdhënës të tjerë që nuk e zbatojnë vendimin e punëdhënësit, madje ajo ka paralajmëruar se do të largohen edhe nga puna.

“Ne kemi qenë jashtëzakonisht tolerant në këtë drejtim. Ka prej tyre mësimdhënëseve që janë caktuar për mësimdhënie në shkolla të tjera dhe nuk e kanë përfillur vendimin për sistemim, si dhe rastet që thjesht kanë vazhduar të pengojnë punëdhënësin në zbatimin e vendimit për riorganizim. Nga lista e pagave janë larguar dhe do të largohen sërish të gjithë mësimdhënësit që nuk zbatojnë Vendimin e punëdhënësit, siç parashihet edhe me Ligjin e Punës. Të njëjtit janë paralajmëruar që nëse vazhdojnë njësoj, marrëdhënia e tyre e punës do të ndërpritet”, ka thënë Mirhane Morina.

Mësimdhënësi i Gjuhës Angleze, thotë se vetë janë detyruar që t’i blejnë ditarët, shkumësat, librat, madje edhe drutë për ngrohje, pasi që komuna nuk e financon më.

“Prej 2 shtatorit me vetë iniciativë të gjithë së bashku i kemi blerë, shkumësat, librat, ditarët, librat i kemi huazuar disa, madje edhe drutë për ngrohje i kemi siguruar vetë rreth 40 metra dru”, ka thënë Maliqi.

Drejtori i arsimit parauniversitar, Alushi Istogu, ka thënë se Ministria e Arsimit ka shpërndarë tekstet e mësimit për këtë shkollë, por Komuna e Kamenicës është duke i mbajtur në sirtarë.

“Tekstet që i kemi dërguar ne si Ministri e Arsimit për arsimin para universitar, ato shkolla dhe ata nxënës nuk i kanë marrë tekstet mësimore, kryetari është duke i mbajtur në sirtarin e komunës, në kemi vlerësuar si ministri që tekstet duhet me u shpërnda, teksti është për nxënës jo për me qëndruar në zyrë”, është shprehur Istogu.

Protesta kundër vendimit për bashkimin e shkollës “Hasan Prishtina” me shkollën “Fan S. Noli”

Kohë më parë nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e fshatit Busavatë kanë protestuar për ta kundërshtuar vendimin për reforma në arsim në Komunën e Kamenicës. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin