170 mostra të dyshuara për koronavirus të cilat janë marrë në Komunën Gjilanit tash e tre ditë janë duke pritur të testohen në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo vonesë e testimit të këtyre mostrave, sipas nënkryetarit të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, po ndikon negativisht në uljen e rasteve pozitive në këtë komunë.
“Mostrat për testim të pacientëve nga Gjilani, të cilat janë marrë nga ana e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, nuk janë testuar ende dhe po shkaktojnë vonesa nga ana e tyre për shfaqjen e rezultateve. Kjo dukuri e vonesava të rezultateve po ndikon negativisht, në uljen e rasteve dhe është kundër qëllimeve të vetë IKSHP-së”, ka shkruar ai në Facebook.
I dyti i Gjilanit ka kërkuar nga IKSHPK-ja që t’i trajtojë sa më shpejtë këto mostra, pasi që sipas tij këto mostra janë rreziku potencial i rritjes së rasteve në Gjilan.
“Pacientët potencial me COVID19, të cilët presin për rezultate nga dy ose tri ditë, janë rreziku kryesor potencial i rritjes dhe shumëfishimit të pandemisë tek qytetarët. Andaj, u bëjmë apel Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, që t’i trajtojnë sa më shpejtë mostrat e marra, dhe, të mos shkaktojnë vonesa, sepse, çdo vonesë po na shkakton vështirësi në menaxhimin e këtyre rasteve, dhe, rritjes potenciale të rasteve të reja nga kontaktet me ta”, ka përfunduar Ismajli.
Ismajli për Gazetën Sinjali bëri të ditur se në mesin e këtyre mostrave të dyshuara ka edhe fëmijë./Gazeta Sinjali/