Vaksina për coronavirusin e cila këtë javë filloi testimin në njerëz në Britani të Madhe, do të mund të jetë e gatshme për treg në tetor të këtij viti, ka bërë të ditur Adar Panavala, drejtori i përgjithshëm i “Instituti i Serumit në Indi”, kompani kjo që planifikon prodhimin e vaksinës.
Vaksinën e kanë prodhuar shkencëtarët e Oksfordit, kurse Instituti i Serumit në Indi planifikon të fillojë prodhimin serik për dy ose tre javë. Nxjerrja e vaksinës në treg varet nga ajo se sa i suksesshëm do të tregohet testimi i saj në njerëz.
“Ekipi ynë është duke punuar ngushtë me doktor Hillin nga Oksfordi, dhe presim fillimin e prodhimit të saj në dy apo tre javët e ardhshme. Gjashtë muajt e parë do të prodhojmë pesë miliona doza në muaj, kështu që shpresojmë që më pas do ta rritim kapacitetin e prodhimit në 10 milionë në muaj”, ka shtuar Ponavala.
Ai shtoi se nxjerrja e vaksinës në treg pritet të ndodh në tetor, por sipas tij një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëse testimet janë të suksesshme, duke përcjell me vëmendje efikasitetin dhe sigurinë e tyre.
Panavala pranoi se kompania e tij nuk do ta patentoj vaksinën, nëse testimet klinike rezultojnë të suksesshme.
“Nuk duam ta patentojmë sepse dëshirojmë të prodhohet dhe shitet në mbarë botën, jo vetëm në Indi. Shpresoj që njëjtë do të veprojnë edhe kompanitë tjera që zbulojnë vaksinën, me qëllim që të kemi sa me shpejtë miliarda doza në mbarë botën”, tha për fund ai.