Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike ka shqyrtuar Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2019 si dhe raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2019.
Kryetari i bordit të KPMM-së, Musa Shabani, fillimisht ka folur për vdekjen e dy minatorëve në minierën e Novobërdës. Ai ka thënë se në vendin ku ka ndodhur aksidenti kushtet e punës kanë qenë të vështira.
Shabani ka bërë të ditur se do të përgatisin një raport me detaje për aksidentin e ndodhur ditë më parë.
“Vendi ku ka ndodhur aksidentin kushtet e punës janë të limituara sepse ka qenë mjaft e vështirë të punohet në ato kushte për nxjerrjen e trupave por falë angazhimit maksimal është arrit që të nxirren trupa prej minierës dhe janë dorëzuar te ekipet e mjekësisë ligjore. Komisioni i Pavarur për Miniera ka urdhëruar ndërprerjen e punës dhe ka formuar dy komisione të cilët e kanë bërë inspektimin dhe janë në përpunim të raportit dhe do të japin detaje për aksidentin”, ka thënë Shabani.
Shabani ka thënë se janë arritur disa rezultate pozitive sa i përket licencimit. Me tutje ai ka thënë se kanë zhvilluar 30 takime me kompani të ndryshme, ku janë proceduar 375 kërkesa për licenca, mirëpo janë lëshuar vetëm 255 licenca.
Sipas kryetarit të KPMM-së sfidë kryesore po del të jetë mostrajtimi në kohë i lëndëve në gjykatë.
“Krahasuar me vitin paraprak janë arritur disa rezultate pozitive sa i përket licencimit. Ky raport në vitin 2019 ka përfshirë edhe punë që janë kryer gjatë vlerësimin të komisionit nga zyra e auditorit. Gjatë vitit 2019 Komisioni i Pavarur i minierave për licencimin e kompanive të ndryshme ka mbajtur 30 takime të ndryshme dhe janë proceduar 375 kërkesa për licenca dhe leje dhe prej këtyre janë lëshuar 255 licenca. Kemi realizuar 2950 vizita në teren”.
“47 kallëzime penale kemi përcjell në prokuroritë kompetente dhe 110 propozime për përmbarim. Mos trajtimi në kohë i lëndëve të paraqitura në gjykata po ashtu është një sfidë që po e përcjell komisionin e pavarur të mineraleve”.
“KPMM bashkë me policinë dhe komunat ka marr masa dhe të gjitha ato materiale janë deponuar më vendet që janë të caktuara nga komunat e Kosovës dhe sot janë në menaxhim nga komunat”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/