Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale. Nevoja për themelimin e saj u konsiderua e domosdoshme nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu mëdyshje për rolin e kësaj gjykate në sistemin juridik dhe kushtetues të vendit.
Adnan Rrustemi, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, tha se miratimi i këtij projektligji është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Përkrahje ndaj këtij projektligji shprehu edhe Hajdar Beqa nga PDK, por tha se i njëjti është marrë i gatshëm nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Por, mëdyshje për miratimin e tij shprehu deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
“Sot e kam problem ta paketoj në sistemin hierarkik institucional këtë gjykatë. Duhet më shumë informata për sistemin juridik dhe kushtetues për këtë gjykatë”, tha ai.
Derisa e përkrahu miratimi në parim të këtij projektligji, Besnik Tahiri nga AAK tha se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje me këto veprime po përkrah politika të djathta./Gazeta Sinjali/