Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit është duke mbajtur mbledhjen e radhës ku ndër të tjera do të shqyrtohet kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.
Anëtarët e këtij komisioni nga opozita kërkuan nga deputetët e pushtetit që të mos i befasojnë me ndryshime të ligjeve siç ishte rasti i Ligjit për Zgjedhje.
“Ne do të kemi shumë punë kur Qeveria ta sjellë agjendën legjislative, do të kemi shumë angazhim por kërkoj prej jush të mos kemi situata të tilla sikur me ligjin për zgjedhje. Sepse, duhet punë për hartime e ndryshime të ligjeve”, ka deklaruar Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Temën për ndryshimit e Ligjit për Zgjedhje e ka përmendur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra. Ajo tha se duhet bashkëpunuar edhe me shoqërinë civile në këtë komision.
“Ne kemi parë në ligjin për zgjedhje sa ka qenë e zëshme shoqëria civile. Prandaj mendoj që është rast i mirë që organizata Democracy Plus do të bashkëpunoj me ne por është e rëndësishme që edhe anëtarë të tjerë ta kenë mundësinë që të punojmë bashkë në komisionin për legjislacion”, tha ajo.
Kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, ka thënë se komisioni do të zhvillojë bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile. /Gazeta Sinjali/