image Komisioni për Buxhet sot shqyrton projektligjin për Trustin

Financa

Komisioni për Buxhet sot shqyrton projektligjin për Trustin

news image

Shqyrtimi i Projektligji për Trustin është në rend të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Partitë opozitare në Kosovë kanë insistuar vazhdimisht  që sa më shpejt të procedohet në Kuvend Projektligji që mundëson lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Fondi Pensional i Kursimeve.

Opozita ka kërkuar që nga Trusti të lejohet tërheqja deri në 30 për qind të mjeteve nga ana e qytetarëve.

Sipas krerëve të këtyre Grupeve Parlamentare, tërheqja e një shume të caktuar nga Trusti, do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve.

Deputeti Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Kundër këtij projektligji ka dalë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

/GazetaSinjali/