image Kombet e Bashkuara: Përgatituni për "tsunamin e refugjatëve" nga klima

Botë

Forumi/ Kombet e Bashkuara: Përgatituni për “tsunamin e refugjatëve” nga klima

news image

Bota duhet të përgatitet për një rritje të mprehtë të numrit të refugjatëve pasi miliona njerëz mund të detyrohen të ikin për shkak të ndryshimit të klimës, tha Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters nga Forumi Ekonomik Botëror, Filippo Grandi, tha se një vendim i Kombeve të Bashkuara këtë javë përcakton që personat të cilët ikin nga ndryshimet klimatike duhet të trajtohen si refugjatë klimatikë nga vendet e tyre pritëse dhe kjo do të sjellë pasoja të mëdha për qeveritë.

Komisioni i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara e mori këtë vendim të hënën, në lidhje me Ioane Teitiota nga Kiribati, një vend i Paqësorit që apeloi kundër Zelandës së Re kur autoritetet refuzuan kërkesën e tij për azil.

“Vendimi thotë se nëse ekziston një kërcënim i menjëhershëm për jetën tuaj për shkak të ndryshimit të klimës, për shkak të emergjencës klimatike, dhe nëse kaloni kufirin dhe shkoni në një vend tjetër, ata nuk duhet t’ju kthejnë sepse jeta juaj është në rrezik , ashtu si në një luftë apo në një gjendje persekutimi, “tha Grandi.

“Ne duhet të përgatitemi për një rritje të madhe të njerëzve që lëvizin kundër vullnetit të tyre,” tha ai. “Unë nuk do të guxoja të flisja për numra specifikë, është shumë hipotetike, por ne do të flasim patjetër për miliona”.

Shkaqet e mundshme të këtyre lëvizjeve mund të jenë zjarret siç janë ato në Australi, ngritja e niveleve të detit që prekin ishujt me lartësi të ulët, dëmtimi i kulturave bujqësore dhe bagëtive në Afrikën nën-Sahariane dhe përmbytjet në të gjithë botën, përfshirë pjesë të botës së zhvilluar.

Edhe pse për 70 vite, UNCHR, agjensia e OKB-së për refugjatët, ka punuar për të ndihmuar ata që ikin nga vendet e goditura nga varfëria, ndryshimi i klimës nuk diskriminon, që do të thotë se shumica vendeve të pasura mund të bëhen një burim në rritje i refugjatëve.

“Migrimi i popullatës është një sfidë globale që nuk mund të kufizohet në disa vende,” tha Grandi.

UNHCR, buxheti i të cilës ishte një miliard dollarë në fillim të viteve 1990 ka shkuar në 8.6 miliardë dollarë në 2019 pasi konfliktet në Irak, Afganistan dhe Siri kanë detyruar civilët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Aktualisht po ndihmon më shumë se 70 milion njerëz të zhvendosur në të gjithë botën.

Turqia është pritësi më i madh me më shumë se katër milion refugjatë dhe azilkërkues, shumica e tyre nga Siria. Kjo po ushtron presion në financat publike të Turqisë dhe Presidenti Rexhep Tayip Erdogan ka kërkuar më shumë ndihmë nga Evropa.

Në nëntorin e vitit të shkuar, Erdogan kërcënoi të hapte portën për refugjatët sirianë që të shkojnë drejt Evropës nëse Bashkimi Evropian nuk e rrit ndihmën e tij, dhe tani po bën thirrje për një “zhvendosje” deri në një milion sirianë në veri të Sirisë.

Grandi tha që qeveritë evropiane duhet të mendojnë për zgjidhje shumë serioze për krizën e migrantëve që ka prekur vendet e tyre që nga viti 2015, si dhe të vlerësojnë situatën në të cilën ndodhet Turqia.

“Ne duhet të pranojmë se gjatë disa viteve të fundit Turqia ka pritur popullsinë më të madhe të refugjatëve në botë,” tha ai.

“Ka shumë debate politike. Unë përqëndrohem në thelbin e çështjes që është: “Të forcojmë aftësinë e Turqisë për të pritur refugjatët derisa ata të mund të kthehen të sigurt, vullnetarisht në vendet e tyre”. /Gazeta Sinjali/