image Komandanti i KFOR-it i ashpër: Albin Kurti ka bërë veprime të njëanshme

Politikë

Komandanti i KFOR-it i ashpër: Albin Kurti ka bërë veprime të njëanshme

news image

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka kritikuar gjerësisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “veprime të njëanshme” dhe “hapa të mbrapsht prej dy viteve”.

“Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR-i) nuk mundet dhe nuk duhet të konsiderohet si një çadër ku duhet të strehohesh pas veprimeve të njëanshme që shqetësojnë balancet e pasigurta”, tha ai në një intervistë për gazetën italiane “Corriere”.

Ristuccia e vlerësoi si “të gabuar” vendimin e Kryetarit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për të instaluar tre kryetarët shqiptarë në komunat veriore pa u pranuar nga popullata lokale atje, ndërsa intervenimin e KFOR-it e quajti “shmangie të një tragjedie”.

“Para së gjithash, vendimi i kryeministrit kosovar Albin Kurti për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të pa njohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, u shpreh ai.

Komandanti i KFOR-it i tha gazetës italiane “të mos shtiremi se kjo është situatë normale” ndërsa vendimet e qeverisë kosovare që nga e premtja tha se “ishin pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira”. Andaj, beson ai, këto nuk janë veprime për të forcuar besimin e ndërsjellë. Madje, ai tha se në bisedat që ka pasur me Kurtin “ai pajtohej me këtë qasje”.

Pyetur nga gazeta italiane se “çfarë do të ishte veriu i Kosovës pa praninë e misionit të NATO-s?”, Ristuccia ka një përgjigje mjaft të frikshme: “Do të ishte një vatër tjetër lufte”.Situatën në veri komandanti i KFOR’it e përshkruan për tejet fragjile në termat e sigurisë, ndërsa shton se “çdo balanc që kemi arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet ditë e më shumë e pasigurtë”.

/GazetaSinjali/