Komandati i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarët policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj e Shaban Limanaj, kanë mohuar para Prokurorisë në Gjilan se kanë keqtrajtuar qytetarin e prangosur brenda stacionit policor në Gjakovë.
Përkundër se në videon e publikuar ekzkluzivisht nga Gazeta Sinjali, shihet qartë tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj të arrestuarit Muhamer Raifi nga Prishtina, gjashtë të pandehurit kanë deklaruar se nuk kanë përdorur fare dhunë fizike në ngjarjen që ndodhi më 14 nëntor të vitit 2018.
Gazeta Sinjali ka siguruar sot aktakuzën e plotë të këtij rasti e cila është ngritur ndaj të pandehurve më 27 nëntor.
Komandati Kristë Gjokaj dhe katër vartësit e tij akuzohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” ndërsa i pandehuri i gjashtë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kreu i Stacionit Policor të Gjakovës , i cili në bazë të provave akuzohet se ka grushtuar të arrestuarin, ka thënë para prokurorisë se Muhamer Raifi është rrëzuar në dysheme duke shprehur dyshim se kishte bërë inskenim.
Sipas aktakuzës, komandanti Gjokaj ka pohuar t`i jetë afruar atij personi, të cilin thekson se e ka pyetur kush është dhe se ai e ka nënçmuar duke i thënë nuk e njeh. Gjokaj ka deklaruar se i ka treguar se është komandanti i stacionit, por pohon se i arrestuari nuk ka dashur të flas me të dhe është rrëzuar në dysheme dhe për këtë dyshon se e ka bërë një inskenim apo reagim nga fakti që dorën ia kishte afruar të njëjtit afër trupit të tij.
I pandehuri, Milot Ukaj, në deklaraten e tij, ka theksuar se me të vërejtur të personit të ndaluar në korridorin e stacionit i është afruar dhe fillimisht e ka pyetur për emrin por që sipas tij, nuk kishte marrë përgjigje, përkundrazi i njejti sipas tij, ishte sjellë shumë agresiv.
Sipas Ukajt, i arrestuari kishte tentuar ta kafshonte, andaj pohon të jetë afruar dhe me duar ta ketë prek në trup dhe ta informoj se ishte polic ngase në atë kohë ishte me rroba civile, e që pastaj pohon se i arrestuari kishte filluar të aktroj duke rënë nga karriga në dysheme.
I pandehuri tjetër Bekim Preqi, sipas aktakuzës, kishte deklaruar se në korridorin e stacionit kishte vërejtur një person të shtrirë në dysheme. Ai thotë se i është afruar të njëjtit dhe e kishte pyetur se nga është por, sipas tij, nuk kishte marrë përgjigje. Në ato çaste pohon se polici, Milot Ukaj kishte intervenuar për ta ngritur të ndaluarin nga pozita e shtrirë që ishte e që pastaj pohon se kishte dal nga aty.
Të pandehurit Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj akuzohen se kishin keqtrajtuar të prangosurin edhe ne qelinë e paraburgimit me qëllim që t’i nxjerrin informacione për personat tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale.
Gëzim Biblekaj ka thënë para prokurorisë se vetëm i kanë kërkuar atij që t`i jap emrat e vërtetë të tre të dyshuarve por sipas tij, i arrestuari ka mohuar ta bëjë këtë teksa sipas tij i arrestuari ka filluar të fyej dhe ka lëvizur dorën në mënyrë të pakontrolluar.
Sipas Biblekajt, atëherë Miloti e ka kap Muhamerin për krahërori për të ia bllokuar duart dhe që bashkërisht të dytë janë rrëzuar në dysheme. Sipas tij, pastaj Agroni është ngritur dhe ka dashur ta kap nga dyshemeja dhe në ato çaste Biblekaj thotë se është ofruar dhe e ka ngritur këmbën afër Milotit duke menduar se i njëjti do ta godet Muhamerin por kjo nuk ka ndodhur.
I pandehuri Agron Idrizi në deklaraten e tij ka theksuar se me Muhamerin kanë biseduar rreth 5-6 minuta. Ndërkohë i njejti është revoltuar, i ka fyer policët dhe ka ngritur dorën përpjetë. Ai ka shtuar se kolegu Milot pasi ka dyshuar se don të na sulmoj, ia ka kap doren dhe me këtë rast i ndaluari ka rënë në tokë dhe se bashkë me Milotin e kanë kapur dhe e kanë ulur në krevat. Supas tij ndërkohë kolegu Gëzim ka ndërhyrë duke i thënë të njejtit se nuk ka nevojë të bëhet nervoz dhe ka kërkuar që të qetësohet.
I pandehuri Shaban Limanaj i cili sipas aktakuzës ka qenë në pozitën e përgjegjësit në qendrën e ndalimit në Gjakovë, ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për veprën penale për të cilen ngarkohet duke theksuar se nuk ka qenë kompetent të kujdeset për të ndaluarin, Muhamer Raifi.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar që gjashtë të pandehurit t`i shpall fajtor për veprat penale të sipërshënuara.
Nëse vërtetohet fajësia ndaj tyre, zyrtarët policorë, përveçse do t’i humbin postet e tyre në Polici, rrezikojnë të marrin dënim me burgim disa vjeçarë.
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe katër nga pesë vartësit e tij, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj rrezikojnë të dënohen me burgim deri në tre (3) vjet. Ndërsa I pandehuri i gjashtë, Shaban Limanaj rrezikon të dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./Gazeta Sinjali/