Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët e KEDS-it kërcënohen e pengohen gjatë kryerjes së punës, qoftë për shkak të punimeve, ose shkyçjeve nga rrjeti elektrik. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Çajupi”, në Pejë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se një qytetar ka kërcënuar punëtorët e KEDS-it, pasi këta të fundit e kanë shkyçur nga rrjeti për shkak të borxhit të grumbulluar.
Në dëshminë e punëtorëve të dhënë në Polici thuhet se derisa po largoheshin nga vendi i ngjarjes, i dyshuari u është drejtuar me fjalë të ndryshme, ndër të tjera edhe “kom me ta qky gojën, e sheh kush jom unë”.
Përballë kësaj situate, viktimat e kanë denoncuar rastin dhe kanë kërkuar ndihmë nga Policia. Këta të fundit janë vënë menjëherë në veprim dhe kanë shoqëruar në stacion të dyshuarin, i cili është intervistuar nga hetuesit policorë.
Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për veprën penale “kanosje”.