Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) përmes një komunikate për media thotë se, po e përcjell me shqetësim publikimin në disa media online të videos për rastin e pretendimit për ngacmim seksual të një të miture, në oborrin e një shkolle fillore në Prishtinë.
KMShK thotë se sheh me shqetësim publikimin e fakteve rrethanore që zbulojnë lehtë identitetin e të miturve të përfshirë në rast.
“Në çdo rast mediat duhet të shfaqin kujdes fillimisht në moszbulimin e asnjë fakti apo rrethane që çon në identifikimin e të miturve, e më pas ngjarjen duhet plasuar sipas rregullave etike të mediave të shkruara dhe online”, thuhet në reagim.
Më tej, KMShK pohon se ” zbulimi i fakteve rrethanore mund të çojë shumë lehtë tek zbulimi i identitetit të të miturve dhe, rrjedhimisht, pasojat për jetën e fëmijëve dhe të familjeve të tyre”.
“Kapitulli VI i Kodit të mediave të shkruara në mënyrë shumë të qartë përcakton raportimin për të mitur në rastet kur janë viktima, dëshmitarë apo kur dyshohen ose janë kryes të veprimeve të pahijshme, përfshirë veprat penale. Kodi përcakton që: gazetat, portalet dhe agjencitë e lajmeve në asnjë mënyrë nuk do të identifikojnë fëmijët nën moshën 18 vjeçare, të cilët janë të përzier në vepra penale, qoftë si dëshmitarë, apo të pandehur”, vijon reagimi.
Tutje, në reagim thuhet se ” trajtimi i rrëfimeve mbi tragjeditë personale duhet të zhvillohet me kujdes, ndërkohë që ndaj individëve të prekur me tragjedi duhet pasur qasje mirëkuptimi dhe diskrecioni”.
“Andaj, KMShK iu bën thirrje mediave që kanë raportuar për rastin pa u mbështetur në kodin e etikës, që të përmirësojnë raportimin, respektivisht të mos publikojnë informata që zbulojnë identitetin e të miturve të përfshirë në rast, kurse videon e postuar ta largojnë nga web platformat dhe faqet e tyre në rrjetet sociale”, thuhet më tej në reagim.
Sot në media është raportuar për një rast të abuzimit seksual në shkollën Faik Konica në Prishtinë. Për këtë rast është publikuar edhe një video.