Në fshatin Mirovcë që ndodhet në afërsi të Medares, Policia e Serbisë ka arrestuar asamblistin e Kuvendit Komunal të Podujevës, Blerim Maqastena dhe Berat Mexhuani, përcjellë Gazeta Sinjali.
Ata janë arrestuar nën dyshimin se kanë hyrë në territorin serb.
Maqastena dhe Mexhuani, sipas deklarimeve të Policisë së Kosovës dhe familjarëve mund ta kenë humbur rrugën shkaku i mjegullës së dendur që kishte mbizotëruar në atë zonë kufitare.
Berat Mexhuani, është liruar ndërkaq në paraburgim prej 30 ditësh mbetet kuvendari i Podujevës Blerim Maqastena.
Për rastin ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ku kanë kërkuar lirimin nga paraburgimi të tij.
Reagim i KMDLNj – së:
TË LIROHET BLERIM MAQASTENA NGA BURGU NË PROKUPJE!
Policia e Serbisë, ditë më parë arrestoi dy qytetarë të Podujevës, shtetas të Republikës së Kosovës me arsyetim për kalim ilegal të kufirit. Dje u lirua njëri nga të arrestuarit kurse ende po mbahet në burg Blerim Maqastena, asamblist në komunën e Podujevës, ish –aktivist i LVV –së dhe tash, anëtar i PSD –së. Policia e Serbisë është shumë mirë e informuar për veprimtarinë kombëtare dhe politike të Blerim Maqastenës andaj e mbanë të burgosur për një kundërvajtje e cilësuar si kalim ilegal i kufirit në kohën kur kufiri nuk është e shenjëzuar sikur që për shkak të motit me mjegull të madhe mund të ketë ndodhur që e kanë kaluar kufirin, pa e ditur fare se e kanë kaluar dhe pa pasur asnjë qëllim të caktuar. Jemi dëshmitarë që policia e Serbisë, shumë herë ka hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe ka arrestuar qytetarë të Kosovës të cilët i ka mbajtur nën arrest një, apo disa muaj dhe i ka liruar duke iu shqiptuar gjoba në para sikur që përmes avokatëve, prokurorëve apo gjykatësve të korruptuar i kanë liruar nga arresti pasi iu kanë zhvatur një shumë të madhe parash. Sidomos është kanë vepruar me diasporën shqiptare të cilët i kanë arrestuar apo dënuar për vepra që nuk kanë ekzistuar fare.
Në kufirin Kosovë–Serbi, në Llap shumë herë ka pasur probleme ndërkufitare, me arrestime, gjuajtje armësh sikur edhe vrasje të qytetarëve të Kosovës. Incidentet ndërkufitare ndodhin kryesisht nga ata që bëjnë tregti të palejuar–kontrabandë nga të dyja palët, në rast të vjedhjeve të pyllit apo bagëtive , në rast të gjuetisë kur gjuetarët e kalojnë kufirin, gjithashtu nga të dyja palët , në rast të gabimeve për shkak të mosnjohjes së terrenit apo kushteve klimatike dhe në rast provokimi sikur kur policia e Serbisë ndërhynë në territorin e Kosovës të cilin e konsideron si kufi administrativ dhe jo shtetërorë. Ndërkombëtarët, në këto raste janë të padrejtë sepse arsyetojnë veprimet e policisë së Serbisë ndërsa reagojnë menjëherë nëse policia e Kosovës e arreston ndonjë shtetas të Serbisë.
Kohë më parë, policia e Serbisë e ka arrestuar H.M., gjuetar nga një fshat i Podujevës i cili e ka kaluar kufirin për ta kthyer prapa qenin e gjuetisë–zagarin, e ka mbajtur në burg më shumë se dy muaj dhe vetëm pasi i kanë zhvatur një sasi të madhe parash, e kanë liruar.
Sipas informatave që i ka KMDLNj–ë, të arrestuarit për kalim ilegal të kufirit e që janë, kryesisht në Burgun në Prokupje nuk trajtohen keq dhe ndaj tyre nuk ushtrohet dhunë sikur që iu lejohen vizitat familjare dhe e avokatëve .
KMDLNj shpreh vullnet dhe gatishmëri që të vizitojë shtetasit kosovarë që mbahen të arrestuar në burgjet e Serbisë nëse qeveria e Kosovës përmes zyrës ndërlidhëse e siguron një leje nga qeveria e Serbisë.
KMDLNj kërkon që Blerim Maqastena të lirohet menjëherë dhe fton autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e tij për faktin se nuk ka bërë asnjë vepër me qëllim të caktuar dhe se moti me mjegull dhe mungesa e sinjalizimit të kufirit kanë ndikuar ta gabojë rrugën.
KMDLNj vlerëson se çdo mbajtje e mëtutjeshme në burg e Blerim Maqastenës do të bëhet për shkaqe politike dhe si e tillë duhet të trajtohet.