image KMDLNj kërkon nga Policia të hetojë kërcënimet ndaj KQZ-së - Sinjali

KMDLNj kërkon nga Policia të hetojë kërcënimet ndaj KQZ-së

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së, anëtarëve të KQZ-së sikur edhe kryetares, Valdete Daka në mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, shkruan Gazeta Sinjali.

KMDLNj, gjithashtu kërkon që policia e Kosovës të hetojë të gjitha kërcënimet eventuale ndaj KQZ-së dhe, nëse paraqitet nevoja të sigurojë kushte për punë të papengueshme.

“Subjektet politike duhet të tregohen të përgjegjshme dhe të zbatojnë vendimet e KQZ-së, pasi t’i kenë shfrytëzuar rrugët ligjore dhe të mos lejojnë zbatim të standardeve të dyfishta. Pikërisht këta, me shembullin e tyre duhet të tregojnë se janë për ligjin, shtet të së drejtës dhe shtet ligjor pavarësisht forcës politike, përkatësisë partiake, etnike etj”, thuhet në një komunikatë.

Sipas KMDLNj-së, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, KQZ po i nënshtrohet një presioni të palejueshëm e që ndikon në mbarëvajtjen e punës.

“Presioni është krejtësisht i natyrës politike e që, për qëllim e ka nënshtrimin e KQZ-së ndaj subjekteve të caktuara politike. Me një vendim krejtësisht politik të Gjykatës Kushtetuses të Kosovës, sepse pati efekte dhe pasoja politike, vendi dhunshëm shkoi në zgjedhje të parakohshme ndonëse Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat ta çojë vendin në zgjedhje. Po ky vendim, që sipas KMDLNj –së është krejtësisht politik, u sanksionuan me mospjesëmarrje në zgjedhje të përgjithshme 47 kandidatë për faktin se kishin një vendim të formës së prerë për vepra penale, pa u specifikuar natyra e veprave, në 3 vitet e fundit. Nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u prekën thuaja të gjitha subjektet politike në Kosovë, kush më shumë e kush më pak. Përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me të cilën pamundësohej pjesëmarrja në zgjedhje të gjithë atyre që ishin dënuar, subjektet politike i përfshinë ata kandidatë në lista për zgjedhje duke i renditur, qoftë si bartës të Listës ( LVV ) apo në majat e listave ( AAK ) dhe Nisma gjithnjë duke pasur parasysh faktin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakundërshtueshme dhe se nuk ka adresë tjetër ku mund të kërkohet drejtësi përjashtuar Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbur ku Kosova nuk ka qasje”, thuhet tutje në komunikatë.

KMDLNj thotë se ky është rast tipik i përpjekjes për legalizim të përdorimit të standardeve të dyfishta. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: