image KMDLNJ kërkon hetimin e sulmit ndaj djalit të Nenad Rashiqit dhe djegien e veturës së Mefail Bajqinovcit

Siguri

KMDLNJ kërkon hetimin e sulmit ndaj djalit të Nenad Rashiqit dhe djegien e veturës së Mefail Bajqinovcit

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj dy incidenteve që ndodhën gjatë ditës së djeshme, shkruan Gazeta Sinjali.

KMDLNJ e dënon sulmin fizik ndaj djalit të ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, që u rrah me mjete të forta nga disa persona në Llapnasellë të Graçanicës.

Sipas këtij këshilli, kjo po bëhet me qëllim të frikësimit të politikanëve serbë të cilët nuk janë në vijë me Beogradin.

“KMDLNj, edhe më parë ka reaguar ndaj shantazheve, kërcënimeve dhe dhunës fizike ndaj liderëve politikë serbë të Kosovës të cilët dolën në mbrojtje të interesave të bashkëkombësve të tyre e që nuk ishin me vijën zyrtare të Beogradit, por se reagimi i institucioneve ka qenë në shpërputhje me rrezikun që iu janë nënshtruar politikanët serbë të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

KMDLNJ vlerëson se kjo praktikë përdoret për të eliminuar të gjithë politikanët serbë të Kosovës, të cilët kanë udhëhequr një politikë të arsyeshme, jokonfrontuese, integruese dhe bashkëpunuese.

“Pikërisht për këtë janë sulmuar, linçuar publikisht Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Rada Trajkoviq dhe të tjerë në mesin e të cilëve ka pasur të arrestuar nga BIA- a e Serbisë sikur ishte rasti i Sllobodan Petroviqit.”

Ky këshillon kërkon që hetuesia ta vërtetojë nëse sulmi ndaj Nikolla Rashiqit ka qenë koincidencë e rastit apo sulm i qëllimshëm, për shkak të aktivitetit politik të babait të tij, Nenad Rashiq.

“Fjalën e fundit për fajësinë apo pafajësinë, për motivin e mundshëm të sulmit dhe qëllimin e këtij sulmi, ka të drejtë ta thotë vetëm gjykata përkatëse, pas procedimit të provave”.

Por, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut fton palët të përmbahen nga deklaratat paragjykuese lidhur me rastin.

“Ndonëse rrethanat në të cilat ka ndodhur sulmi ndaj Nikolla Rashiq nxisin dyshime të bazuara për motivet e sulmit, KMDLNj fton të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat paragjykuese, deri në një vendim të gjykatës kompetente.

KMDLNj e vlerëson si shumë pozitive angazhimin e shpejtë dhe efikas të Policisë së Kosovës dhe prokurorisë së shtetit në zbardhjen e rastit e që nënkupton se ky rast po trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm”.

KMDLNJ e ka dënuar edhe incidentin ku u djeg vetura e kandidatit për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Këshilli edhe në këtë rast kërkon hetime për të zbuluar shkaqet e mundshme të këtij rasti, në mënyrë që të shmangen spekulimet.

“Po të njëjtën ditë, në lagjen ‘Arbëria’, në rrethana ende të paqarta e ka kapluar flaka veturën e deputetit të LV–së, Mefail Bajqinovci, duke e shkatërruar plotësisht atë. Për fat të mirë, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, deputeti Bajqinovci ka shpëtuar pa lëndime.”

Edhe për këtë rast, KMDLNj kërkon hetime në mënyrë që të përcaktohen shkaqet e djegies së bveturës së Bajqinovcit.

“Në këtë mënyrë, me vërtetimin e shkaqeve do të eliminoheshin spekulimet e mundshme, ose, në të kundërtën, nëse sigurohen prova për zjarrvënie të qëllimshme, duhet të gjinden kryerësit e mundshëm dhe të sillën para organeve të drejtësisë e qe ia rrezikuan seriozisht jetën deputetit Bajqinovci”./Gazeta Sinjali/