Gjykata Speciale ka ndërmarrë sot një operacion, i cili është duke u realizuar në Prishtinë, ku tashmë kanë filluar bastisjet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Policisë kanë bërë me dije se aksioni është urdhëruar nga prokurori i Dhomave të Specializuara dhe lidhet me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Sinjali mëson se rasti lidhet me procesin kundër Thaçit dhe të tjerëve.
Ndaj këtyre veprimeve të Speciales ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
“Batisjet e Speciales, spektakël i radhës. Kinse po bëjmë e po gjejmë diçka!”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas informacioneve të Sinjalit, Specialja ka kryer kontroll te shtëpia e ish shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj. Bastisje është kryer edhe në banesën e Blerim Shalës, i cili ka qenë pjesë e Zyrës së Presidentit, në cilësinë e këshilltarit politik të Hashim Thaçit.