image Bastisjet e Speciales në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit: Sekuestrohen dokumente e telefona (VIDEO)

Drejtësi

Bastisjet e Speciales në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit: Sekuestrohen dokumente e telefona (VIDEO)

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për një operacion të ndërmarrë sot nga Gjykata Speciale, që është duke u realizuar në Prishtinë, ku tashmë kanë filluar bastisjet. Përveç Bashkim Smakajt, ish shef i AKI-së, që ishte dikur edhe këshilltar i ish presidentit Thaçi, Sinjali raportoi se edhe një tjetër këshilltar i tij, Blerim Shala ishte sot cak i Speciales.

Sipas informacioneve të Sinjalit, Specialja ka kryer kontroll te shtëpia e ish shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj. Bastisje është kryer edhe në banesën e Blerim Shalës, i cili ka qenë pjesë e Zyrës së Presidentit, në cilësinë e këshilltarit politik të Hashim Thaçit.

Gjatë bastisjeve që janë kryer, të njëjtat burime thonë se janë sekuestruar prova të ndryshme, duke përfshirë dokumente dhe telefona.

Të njëjtat burime thonë se se aksioni është urdhëruar nga prokurori i Dhomave të Specializuara dhe lidhet me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Kujtojmë se kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ngjashme. ZPS-ja ua ka konfiskuar telefonat një pjese të madhe të ish-ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.

Bastisje ka pasur edhe në shtëpinë e heroit Fahri Fazliu dhe në familjen e Hakif Zejnullahut.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/