Një përfaqësues i klerikëve katolikë të Francës të martën u kërkoi falje viktimave të abuzimeve seksuale që janë kryer nga priftërinjtë.
Reagimi i zyrtarit kishtar erdhi pas publikimit të një raporti tronditës, në të cilin thuhet se rreth 216.000 fëmijë janë abuzuar seksualisht nga priftërinjtë nga viti 1950.
Eric de Moulins-Beaufort, kryetar i konferencës franceze të klerikëve, tha se ai dhe klerikët tjerë duan që ta shprehin turpin para viktimave të abuzimeve të zbuluara në raportin voluminoz.
Kryetari i komisionit për hetimin e abuzimeve nga priftërinjtë, Jean-Marc Sauve, foli gjatë publikimit të raportit të gjatë rreth abuzimeve seksuale në Kishën Katolike të Francës, shkruan BBC.
Komisioni, për më shumë se dy vjet e gjysmë, hulumtoi në gjykata, polici e në të dhëna të kishave si dhe foli me viktima e dëshmitarë.
Sauve, shërbyes i lartë civil, tha se deri në fillim të shekullit të ri, Kisha Katolike “ka shfaqur indiferencë të thellë e madje mizore ndaj viktimave”.
Komisioni ka gjetur dëshmi për së paku 2.900 deri në 3.200 abuzues – nga gjithsej 115.000 priftërinj e klerikë të tjerë.
Në raportin me gati 2.500 faqe thuhet se shumica e viktimave ishin djem para adoleshencës me prejardhje të ndryshme sociale./GazetaSinjali/