image Kjo karrige u shit për 21 mijë dollarë (FOTO)

Botë

Kjo karrige u shit për 21 mijë dollarë (FOTO)

news image

Një karrige prej druri dhe me thurje, e blerë në një dyqan artikujsh të përdorur në Britani, është shitur në ankand për më shumë se 21 mijë dollarë, kur u identifikua si vepër e një artisti të fillimit të shekullit të 20-të.

Nga shtëpia e ankandeve Sworders thanë se një grua e bleu karrigen për rreth 7 dollarë në një dyqan artikujsh “second hand” në Brighton, Angli.

“Kur e mora karrigen në shtëpi, i hodha një vështrim më të afërt dhe mendova se dukej vërtet interesante. I dërgova disa fotografi me email në muzeun V&A, por nuk pata asnjë përgjigje”, tha shitësi, i cili donte të mbetej anonim.

“Ndalesa ime e radhës ishte Sworders. I dërgova email specialistit të dizajnit, John Black dhe ai u përgjigj menjëherë”.

Black e njohu karrigen si vepër të vitit 1902 të artistit austriak, Koloman Moser. Ai u konsultua me një specialist për Secesionin e Vjenës, i cili konfirmoi identifikimin e tij të kësaj karrigeje.

Moser, një mësues në Shkollën e Arteve të Aplikuara në Vjenë, e projektoi karrigen si një riinterpretim modern i një karrigeje tradicionale të shekullit të 18-të, thanë nga shtëpia e ankandit.

Karrigia u shit për 21 mijë e 874 dollarë në ankandin e së martës./GazetaSinjali/