Pas shtatë ditëve i zhdukur, Shqipdon Aliu nga fshati Gadime i komunës së Lipjanit u gjet mbrëmë pa shenja jete. Policia ka konfirmuar se trupi i pajetë i tij është gjetur në një gropë të madhe te gurëthyesi i vjetër në këtë fshat. Gazeta Sinjali mëson nga persona të afërt me viktimën se telefonin e tij (të ndalur) dhe një pako cigare, jo shumë larg kësaj grope, e ka gjetur një banor i fshatit.
“Pasi ky banor i fshatit e ka mbush telefonin me bateri, fëmijët e tij e kanë njoftuar se telefoni është i Shqipdonit…Pastaj e kanë lajmëruar policinë”, thanë persona të afërt me viktimën për Gazetën Sinjali.
Vdekja e Shqipdonit akoma mbetet mister, Prokuroria Themelore e Prishtinës po pret rezultatet e obduksionit për të kuptuar rrethanat e vdekjes së të riut.
Gazeta Sinjali ka siguruar fotografi nga vendi ku dyshohet se u gjet Shqipdon Aliu pa shenja jete.
Shqipdon Aliut do t’i jepet sot lamtumira e fundit në ora 14:00 në varrezat e fshatit Gadime. Para pak ditësh 24 vjeçarit i ka vdekur edhe babai, i riu pas vete ka lënë nënën dhe motrën 9 vjeçare. /Gazeta Sinjali/