image Kina nuk pranon që Rusia ka pushtuar Ukrainën: Na vjen keq për viktimat

Botë

Kina nuk pranon që Rusia ka pushtuar Ukrainën: Na vjen keq për viktimat

news image

Kina tha se “i vjen keq” për viktimat në Ukrainë dhe e quajti situatën aktuale “të padëshirueshme” ndërsa vazhdon të refuzojë të pranojë veprimin ushtarak të Rusisë si “një pushtim”.

“Siguria e jetës dhe e pronës së civilëve duhet të garantohet në mënyrë efektive, dhe në veçanti, krizat humanitare në shkallë të gjerë duhet të parandalohen”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin në një konferencë.

“Situata aktuale është e padëshirueshme për ne”, tha Wang, duke shtuar se është “imperative” që të gjitha palët të ushtrojnë “përmbajtjen e nevojshme” për të parandaluar një përkeqësim të situatës në Ukrainë, shkruan CNN përcjell Gazeta Sinjali.

Megjithatë, Kina vazhdoi t’i shmangej pyetjeve në lidhje me përcaktimin e aktivitetit të Rusisë në Ukrainë një “pushtim”, në vend të kësaj duke përsëritur se konflikti ka një “histori dhe realitet të ndërlikuar” dhe se mbështet “të gjitha përpjekjet diplomatike” për të zgjidhur konfliktin.

Kina “gjithmonë mbron një vizion të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme”, tha Wang, duke përsëritur se “kërkesat legjitime të Rusisë për siguri” duhet “të merren seriozisht dhe të adresohen siç duhet”.

Kur u pyet nëse Kina do të sigurojë furnizime për Ukrainën, Wang tha se Kina është e gatshme të “luaj një rol konstruktiv” në lehtësimin e situatës në Ukrainë dhe do të lëshojë informacione përkatëse “në kohën e duhur”.

/GazetaSinjali/