Zëvendësministri i Jashtëm kinez, Le Yucheng, ka thënë se sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës janë gjithnjë e më të egra.
Le tha gjithashtu se NATO nuk duhet të zgjerohet më tej drejt lindjes, duke detyruar një fuqi bërthamore si Rusia “në një qoshe”.
Kina nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë , duke refuzuar ta quajë atë një pushtim, por ka shprehur shqetësim të thellë për luftën. Ajo gjithashtu ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës.
“Sanksionet kundër Rusisë po bëhen gjithnjë e më të egra”, tha Le në forumin e sigurisë në Pekin, raporton Reuters.
Ai shtoi se shtetasit rusë po privoheshin nga pasuritë jashtë shtetit “pa asnjë arsye”.
“Historia ka dëshmuar vazhdimisht se sanksionet nuk mund të zgjidhin problemet. Sanksionet do të dëmtojnë vetëm njerëzit e zakonshëm, do të ndikojnë në sistemin ekonomik dhe financiar… dhe do të përkeqësojnë ekonominë globale”, tha ai.