image Kina dhe Rusia pushtojnë tregun e Kosovës me mallra

Kosovë

Kina dhe Rusia pushtojnë tregun e Kosovës me mallra

news image

Dy nga shtetet më të fuqishme në botë që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rusia dhe Kina, kanë një qarkullim të lartë tregtar në Kosovë.

Vetëm nga këto dy shtete, sivjet vendi ynë importoi mallra në vlerë rreth 300 milionë euro. Derisa nga Serbia që në këtë vit ka një rritje të importit, arrin në rreth 200 milionë euro.

Kurse, dërgesat e Kosovës në këto vende janë minimale.

Organizatat joqeveritare në vend kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të jetë më proaktive dhe t’i shfrytëzojnë këto raporte tregtare për avancimin ose normalizimin e marrëdhënieve me këto shtete për njohje.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se Kina është në kategorinë e top pesë vendeve nga të cilat Kosova importon. Derisa shton se mallrat e importuara nga Rusia janë kryesisht produkte të derivateve.

Me Federatën Ruse nuk kemi ndonjë qarkullim të madh tregtar në aspektin e bilancit, mirëpo ka disa produkte të cilat vijnë nga Rusia apo që kanë origjinë ruse. Gjatë këtij viti, deri tani, kemi importuar vetëm 28 milionë euro vlerë produkte, derisa Kina me produktet e importuara, është në kategorinë e top pesë vendeve nga të cilat ne importojmë.”

Nga Rusia importojmë kryesisht produktet e naftës dhe derivateve. Derisa me Kinën import kemi pasur rreth 130 milionë euro, kurse gjatë këtij viti kjo shifër është rritë në 273 milionë vetëm në këtë periudhë që ne po flasim”, thotë ai.

Sa i përket edhe shtetit fqinj, Serbisë, që nuk e njeh Kosovën, Stavileci thekson se sivjet importi i mallrave me këtë shtet ka arritur rreth 200 milionë euro.

Sa i përket Serbisë, duhet të themi se ne kemi pasur masa reciprociteti ndaj mallrave të Serbisë dhe kjo ka ndikuar që importi i produkteve serbe të zvogëlohet dukshëm. Nëse në një periudhë të mëhershme, ne kemi pasur rreth 450 milionë import brenda vitit nga Serbia, derisa tani, në këtë vit, nuk pritet të kalohen ende 200 milionë euro të mallrave nga Serbia”, thekson Stavileci.

Për këtë çështje, Lirika Agusholli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se këto marrëdhënie tregtare me Kinën dhe Rusinë, të orientohen edhe në aspektin politik.

Natyrisht që Kosova ka marrëdhënie tregtare edhe me këto shtete mos njohëse, por duhet t’i çoi në një nivel tjetër që të jenë më zyrtare që do të ndihmonin në hapjen e rrugëve më të mëdha. Por, natyrisht për lobimet e Rusisë dhe Serbisë në këto shtete, është shumë e vështirë të thuhet se çka do të mund t’i ndalonte këto dhe nuk dihet e a është e mundur që Kosova me anë të këtyre lidhjeve tregtare të ndikojë ndoshta edhe në atë aspekt.”

Po, Kosova nuk e ka kapacitetin që t’i kundërvihet në atë mënyrë këtyre dy shteteve kaq të mëdha, por duhet të nisë me hapa më të vegjël, siç janë bashkëpunimet veç e veç me secilin shtet dhe lobimin në një mënyrë më ndryshe”, thotë ajo.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani, thotë se ndalimi i këtyre produkteve është i vështirë, sidomos ai kinez.

Ai shton se këto lidhje tregtare ishte dashur të shihen si mundësi.

Ne, si shtet që synojmë të gjejmë vend në arenën ndërkombëtare, e kemi një deficit bukur të madh, kjo i bie që duhesh ta duash edhe atë që nuk të donë. Kjo është qasja jonë, e meta jonë, e cila krijon një lloj deficiti në këto marrëdhënie. E dyta flasim për dy akterë relativisht të rëndësishëm… Në marrëdhëniet ndërkombëtare, në përgjithësi gjërat mund të ndryshojnë shpejt.”

Orientimi ynë karshi perëndimit në një farë forme i ka thënë një ‘Jo’ këtyre vendeve që iu referuam. Ani se depërtojnë, është vështirë t’i ndalosh ato produkte. Është vështirë ta ndalosh produktin kinez… Megjithatë, për faktin që ka lidhje tregtare ose raporte tregtare, kjo ishte dashur të shihet si mundësi dhe jo si mangësi. Kjo është një mundësi për të cilën duhet ditur me shfrytëzuar”, theksoi ai.

Kosova ka një import të madh të mallrave edhe nga pesë shtetet e BE-së, mos njohëse të Kosovës me rreth 270 milionë euro në vit./GazetaSinjali/