image Kina dëbon tre gazetarë të "Wall Street Journal"

Botë

Botë/ Kina dëbon tre gazetarë të “Wall Street Journal”

news image

Kina ua ka hequr akreditimet tre gazetarëve të “Wall Street Journal”, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krejt kjo për shkak të titullit të një editoriali që qeveria kineze e konsideroi racist.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang u tha gazetarëve në Pekin të mërkurën se gazeta nuk pranoi të kërkonte falje për editorialin e saj të 3 shkurtit, me titullin “Kina është Njeriu i Sëmurë i Vërtetë i Azisë”.

Editoriali, i cili është shkruar nga akademiku amerikan, Walter Russell Mead, kritikonte reagimin e Kinës ndaj shpërthimit të koronavirusit të ri që ka vrarë mbi 2 mijë njerëz në kontinent, që kur filloi dy muaj më parë. Dhjetëra mijëra njerëz, si në Kinë ashtu edhe në disa vende të tjera, janë infektuar nga virusi.

Shprehja “i sëmuri i Azisë” është përdorur historikisht për të kategorizuar popullin kinez si të përfshirë nga sëmundjet dhe të papastër. Titulli, megjithatë, u shkrua nga dikush në redaksi, jo nga zoti Mead dhe as nga korrespondentët.

Gazeta njoftoi se tre punonjësve të saj, zëvendës shefit të zyrës Josh Chin, korrespondentit Chao Deng (të dy shtetas amerikanë), si dhe korrespondentit Philip Wen (shtetas australian) u janë dhënë pesë ditë afat për t’u larguar nga Kina.

Teksa, sekretari amerikan i Shtetit ka reaguar përmes një deklarate, duke e dënuar vendimin e Kinës:

“Shtetet e Bashkuara dënojnë dëbimin nga Kina të tre korrespondentëve të huaj të Wall Street Journal. Vendet e pjekura dhe të përgjegjshme e kuptojnë që një shtyp i lirë raporton fakte dhe shpreh opinione. Përgjigja e saktë është të paraqisni kundër-argumente, jo të kufizoni fjalën. Shtetet e Bashkuara shpresojnë se populli kinez do të gëzojë të njëjtën qasje ndaj informacionit të saktë dhe lirisë së fjalës që gëzojnë amerikanët,” citojhet të ketë thënë Pompeo.

Vendimi i së mërkurës për të dëbuar gazetarët vjen një ditë pasi administrata e Trumpit njoftoi se do të trajtojë pesë media kineze të drejtuara nga shteti, përfshirë agjensinë e lajmeve: Xinhua dhe Rrjetin e Televizionit Global Kinez, njësoj si ambasadat e huaja, duke u kërkuar atyre që të regjistrojnë në Departamentin e Shtetit punonjësit dhe pronat e tyre në Shtetet e Bashkuara./voa